Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pothuaj të gjitha llojet e arteve dhe të artistëve, kanë eksperimentuar në Shqipëri vitet e fundit , për të ardhur më pranë standardeve bashkëkohore. Tani edhe Teatri Kombëtar i Kukullave në kryeqytet ka ndërmarrë një iniciativë të tillë.

Si një nga institucionet e pakta në vend, që ofrojnë shfaqe teatrore, drejtuesit e këtij teatri kanë menduar që përveç vogëlushëve, vizitorëve të zakonshëm të këtyre shfaqjeve tani të kenë mundësinë të argëtohen në këto ambiente edhe të rinjtë shqiptarë. Për këtë arsye, do të ngjitet së shpejti në skenë një premier e re, e cila sjell një vizion interpretativ dhe muzikor mjaft bashkëkohor.

“Pentagrami i ëndrrave”, kështu titullohet shfaqja me regji nga Klaudia Mikeli, skenari nga Vangjel Kozma, muzikë të kompozuar nga Adrian Hila, skenografi nga Klajdi Ymeri dhe koreografi nga Albi Nako. Fabula e kësaj shfaqje në fakt, duket paksa fëmijnore, por në thelb ajo përmban një mesazh serioz, bashkëpunimin me të tjerët, ku interpretojnë aktorët profesionistë të Teatrit të Kukullave, por edhe nga 5 aktorë të rinj tepër të talentuar./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora