Këtë të enjte, në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ka qenë e ftuar mjekja pediatre, Mirela Ibro, e cila ka folur për pasojat dhe shenjat e fruthit tek fëmijët.

Ajo tregoi se fruthi zgjat 10 deri në 14 ditë dhe bëhet ngjitës për të tjerët 4 ditë para se fëmijës t’i shfaqen shenjat. Pediatrja gjithashtu u shpreh se ka raste, ku pasojat mund të jenë tepër të rënda, deri me humbje jete.


Mirela Ibro: Gjithmonë kjo periudha e inkubacionit të sëmundjes, nga momenti kur fëmija ka rënë në kontakt me virusin, mund të shkojë 10 deri në 14 ditë ndonjëherë, periudhë inkubacioni. Fëmija fillon të bëhet ngjitës për të tjerët 4 ditë para se t’i shfaqen shenjat; para se t’i shfaqet temperatura, para se t’i shfaqet shpërthimi në fytyrë, në trup; para se të fillojnë t’i lotojnë sytë, t’i rrjedhin hundët, t’i fillojë kolla. Ky 8-ditëshi, 4 ditë para shenjave dhe 4 ditë te shenjat që janë në shpërthimin kryesor të tyre, është periudha kur fëmija është më ngjitësi. Atyre 4 ditëve para nuk kemi çfarë t’ju bëjmë, se nuk e dimë. Nëse e dimë që fëmija ka rënë në kontakt, në çerdhe apo në kopsht, ai ka lozur dhe ka qenë në kontakt me një fëmijë që ka rezultuar me fruth, atëherë, patjetër, të gjitha kontaktet që janë në atë grup çerdhe, kopshti, apo në atë rreth shoqëror ku fëmijët mund të kenë lozur së bashku, apo familje, duhet të izolohen dhe të qëndrojnë në shtëpi.

Në momentin që shpërthejnë shenjat fillon temperatura e lartë, fillon lotimi i syve, konjunktiviti, pra skuqja e të bardhës së syrit, që shoqërohet me lot të shtuar. Fëmija ka rrufë, ka shumë sekrecione nga hundët; ka dhimbje të gojës, ka dhimbje të fytit dhe fillon një “rash”, një skuqje karakteristike, e cila fillon në pjesën e fytyrës kryesisht, pastaj zbret poshtë në të gjithë trupin. Me atë renditje ashtu siç fillon, ashtu dhe fillon e zbehet gradualisht, mbas 1 jave, 10 ditësh, edhe “rash”-i fillon të zhduket. Dhimbja e fytit mund të jetë e konsiderueshme dhe fëmija kur vizitohet, ne shohim disa ndryshime karakteristike, përveç këtij “rash”-it që shfaqet në lëkurë, në fytyrë dhe në trup, janë edhe disa njolla të bardha në mukozën e brendshme të gojës, të faqeve. Pra, janë disa elementë të bardhë, të ndritshëm, ndonjëherë marrin si ngjyrë të kaltërreme, që janë në një sfond shumë të skuqur. Janë shenja njohëse, pikërisht të fruthit.

Gjithashtu, fëmija mund të fillojë dhe të vuaj nga çrregullime gastrointestinale; mund të ketë të vjella të shprehura, mund të ketë diarre të shprehura, mund të ketë edhe prekje të mushkërive në katet e poshtme të mushkërive, të shoqëruara me bronkopneumoni dhe me pneumoni tipike. Ashtu siç e thamë edhe më përpara, nuk përjashtohen edhe raste tepër të rënda, të cilat shoqërohen me një temperaturë shumë të zgjatur, me prekje të rëndë të mushkërive, që për këto raste fëmijët paraqiten në pediatri, në spital dhe kërkojnë shtrim e trajtim atje, të specializuar. Rastet akoma më të rënda, janë rastet e encefaliteve, e prekjes së trurit, që shoqëron pastaj me ndryshime dhe dëmtime neurologjike afatgjata, e me shurdhim. Këto janë rastet më të rënda të fruthit, që lënë pasoja afatgjata. Mos harrojmë dhe një përqindje të caktuar, të cilat mund të përfundojnë me vdekje të fëmijës së vogël. /tvklan.al