“Në Islam rregulli dominant është një martesë, ndërsa përjashtimi nga ky rregull është i lejuar”, kështu është shprehur teologu Neki Kaloshi teksa flitet për “martesën me shumë gra”.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kaloshi shprehet se në institucionin e Komunitetit Mysliman, informaliteti është i madh.
Neki Kaloshi: Në momentin që flasim, legjislacioni islam, duke qenë se ka dimensionin universal, si në kohë dhe në hapësirë, rregulli dominant është një martesë, përjashtimi nga ky rregull po i lejuar është. Ama kur themi “po i lejuar” nuk do të thotë direkt shko zbatoje dhe jo çdokush mund ta zbatojë. Kur themi i lejuar, do të thotë ka hapësirë nëse plotësohen ato raste, arsye specifike. Këtë e interpreton gjykata, institucioni i drejtësisë islame. Në Shqipëri në shumicat e fushave jemi informalë, kjo është një e vërtetë e madhe dhe e hidhur. Edhe institucioni i Komunitetit Mysliman, informaliteti është i madh. Në një rast normal, nëse një imam në një shtet islam, merr me iniciativën e vet të legalizojë një martesë, burgoset. Islami nuk është anarki, por është ligj. Në rigorozitetin e tij ka drejtësi.
I pyetur se në çfarë moshe mund të martohet një femër referuar Islamit, teologu është shprehur se sanksionohet me maturinë dhe me pjekurinë.
Blendi Fevziu: Po martesa në çfarë moshe mund të shkojë? Mund të shkojë një 16-vjeçare të martohet?
Neki Kaloshi: Çështja e moshës është një detaj që në konceptin islam, sanksionohet me pjekurinë dhe maturinë sepse ajo është baza që e vlerëson. Vlerësimi merret nga specialistë të fushës.
Kaloshi thotë se në ditët e sotme lë shumë për të dëshiruar statusi institucional i hoxhallarëve.
Neki Kaloshi: Sot, lë shumë për të dëshiruar statusi institucional i hoxhallarëve dhe mjaftohet institucioni me një fjali “Nuk mbaj përgjegjësi për këtë”. Distancimi me këtë fjali që “nuk mbaj përgjegjësi”, nuk është zgjidhje. Duke qenë se legjislacioni islam thuajse prej 1 shekulli nuk implementohet në shumë vende, kultura ligjore islame është e ulët dhe kultura juridike islame është e ulët sepse aspekti ligjor islam nuk janë sot profilizuar. Islami është frymë.
/tvklan.al