Thierry Henry është trajneri i ri i Monaco. Klubi e njoftoi këtë të shtunë pas shkarkimit të Leonardo Jardim javën e shkuar. 41-vjeçari ka qenë më parë lojtar i Monaco, skuadër me të cilën ka luajtur 122 ndeshje dhe ka shënuar 25 gola. Për herë të parë në karrierën e tij ai do të jetë trajner i parë, pas eksperiencës si zëvendës në kombëtaren belge që prej 2016. Javën e shkuar u raportua se Henry refuzoi postin e trajnerit tek Aston Villa.

Me anë të një postimi në rrjete sociale, tekniku i ri shprehu kënaqësinë për pranimin e ftesës nga Monaco, duke u shfaqur krenar për rikthimin në këtë klub të cilin e cilëson si të veçantë për karrierën e tij si lojtar.

Tashmë me Monaco, Henry do të firmosë një kontratë 3-vjeçare dhe do të mbajë konferencën e parë për shtyp të hënën. Monaco që u shpall kampione në sezonin 2016-2017, janë aktualisht në vendin e 18 në ligën e parë franceze me 6 pikë në 9 javët e para të kampionatit.

 Tv Klan