Marjan dhe Vilma janë themeluesit e qendrës kulturore “Margarita Xhepa” në Asti, Itali. Prej disa vitesh, kjo qendër u mëson shumë fëmijëve shqiptarë gjuhën shqipe, mban gjallë kulturën dhe është një pikë takimi për komunitetin.

Të ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, çifti rrëfen se ideja fillestare nisi me një koncert, por më pas vendosën që do ishte diçka më e madhe. Një tragjedi shënoi edhe themelet e qendrës e cila është ngritur me kontributin e shumë njerëzve.

Marjan:Pastaj ishte një episod tragjik që ndodhi në Asti. Humbi jetën një fëmijë i vogël, ishte shqiptar dhe aty gjetëm edhe forcën, na lindi ideja që vetëm të bashkuar mund të bëjmë diçka.  Edhe pse ishin fillimet tona, ne filluam ato kontaktet me gjithë shoqërinë që kishim për të ndihmuar sado pak, ashtu siç e kemi traditë ne shqiptarët. Unë i pari u gjenda në vështirësi, i thashë të shkojmë në shtëpi, edhe pse nuk i njoh, po sikur të thërras edhe shokë të tjerë? Dhe secili thirri shokët.

Fatkeqësisht, vendi ku u takuam ishte në një bar, një klub sepse nuk kishim vend tjetër ku të takoheshim dhe çdo shqiptar që erdhi aty, me zemër në dorë dha ato që kishte mundësi dhe na dha të kuptojmë që kemi nevojë për një qendër, për një vend ku të takohemi, ku të qajmë hallet tona, ku të gëzohemi, ku të festojmë, por ku të kemi edhe mundësi të ndërrojmë edhe dy fjalë shqip ndaj na lindi ideja, thamë pse mos të bashkohemi, të bashkojmë forcat, t’i bëjmë thirrje komunitetit dhe me sakrifica sepse janë hedhur goxha lekë te një godinë gjithmonë e komunës por që na u dha në shërbimin tonë për ta riparuar dhe për ta vënë në funksion. Aty gjetëm vetveten./tvklan.al