Policia e kryeqytetit është duke hetuar rastin e shpërthimit me tritol mbrëmjen e të mërkurës në zonën e Don Boskos. Blutë e komisariatit nr.3 po verifikojnë aktivitetin e pronarit të banesës, Aranit Beqiraj, i cili ndodhet jashtë vendit.

Autori i vendosjes së lëndës plasëse është fiksuar nga kamerat e sigurisë, por për shkak të errësirës është i vështirë identifikimi i tij. Në kamerat e bizneseve të zonës përreth banesës ku ndodhi shpërthimi, shfaqet një person me trup mesatar, në moshë të re dhe me kapele. Autori i paidentifikuar ende ka mbërritur pranë banesës në pronësi të Beqirajt, ka hedhur lëndën plasëse dhe është larguar me biçikletë.

Pronari i banesës ndodhet jashtë vendit. Sipas burimeve të policisë ai rezulton pa precedent penal, megjithatë po verifikohet aktiviteti në shtetin që jeton nëse ka patur ndonjë konflikt me persona të tjerë. I pyetur nga grupi hetimor paraprakisht në një bisedë telefonike, Beqiraj ka mohuar të ketë patur konflikte me njeri.

Banesa ku ndodhi shpërthimi që është në rikonstruksion ndodhet në rrugën “Robert Naci” në Don Bosko. Nga shpërthimi me tritol u dëmtuan xhamat e katit të 3-të të një banese tjetër private.

Klan News