Donald Trump nuk po pret gjatë për të nisur nga puna në mandatin e tij të dytë. Presidenti i zgjedhur emëroi që në ditën e parë të marrjes së këtij titulli, për të parën herë një grua si drejtuese të stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Susie Wiles, menaxherja e fushatës presidenciale të republikanit u prezantua nga Trump gjatë një takimi në Palm Beach të Floridës. 67-vjeçarja nuk pranoi të flasë publikisht, ndërsa presidenti tha se shaka se ajo preferon të qëndrojë në prapaskenë.
Pasi kanë siguruar shumicën edhe në senat, republikanët po synojnë të kenë kontrollin e gjithë kongresit, pasi mbetet ende për t’u përcaktuar shumica në dhomën e ulët. Republikanët janë në avantazh me 212 vende, teksa për shumicën duhen të paktë 218. Numërimi i votave vazhdon dhe mbeten ende për t’u përcaktuar 23 vende.
Pas fitores së Trump-it, sytë e botës janë përqendruar në Uashington, ndër të tjera edhe për zgjidhjen e konfliktit të Ukrainës për të cilin ai ka premtuar se do i japë fund që në ditët e para të presidencës. Presidenti rus Vladimir Putin, palë në këtë konflikt uroi Donald Trump-in për fitoren dhe tha se ishte gati të bisedonte me të për fundin e konfliktit.
“Njeriu e tregon veten në rrethana të jashtëzakonshme. Mendoj që ai e tregoi veten kurajoz si burrë, në mënyrën më korrekte”.
Më herët, Trump-in e uroi edhe presidenti kinez Shi Xhinpin.
Tv Klan