10 ditë përpara se të betohet si President i ri i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump pritet të dënohet, pasi u shpall fajtor në Maj të vitit të kaluar për 34 akuza për mashtrim financiar. 

Shefi i Shtëpisë së Bardhë akuzohet se ka fshehur një pagesë të paligjshme në vlerën e 130 mijë Dollarëve ndaj aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, e cila e kishte kërcënuar në vitin 2016 gjatë fushatës zgjedhore se do të zbulonte se Trump kishte pasur marrëdhënie seksuale me të.

Vendimi pritet të jepet në 10 Janar, por gjykatësi i Nju Jorkut, Juan Merchan tha se do të përdorë formulën e “lirimit të pakushtëzuar”, që do të thotë se Presidenti Trump nuk do të dënohet me burg, gjobë apo dënime alternative, por mund të paraqitet personalisht apo virtualisht në seancën dëgjimore.

Trump është përpjekur të përdorë imunitetin dhe fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale për ta mbyllur çështjen kundër tij. Presidenti i zgjedhur ka mohuar të gjitha akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm, duke argumentuar se rasti ishte një përpjekje për të dëmtuar fushatën presidenciale të vitit 2024.

Në korrik, Gjykata e Lartë vendosi se presidentët kanë imunitet të gjerë nga ndjekja penale për “veprimet zyrtare” gjatë kohës që janë në detyrë. Megjithatë, muajin e kaluar, gjykatësi Merchan vendosi që dënimi i Trump për rastin e falsifikimit të të bilanceve të mbetet në fuqi.

Për këtë vendim reagoi dhe vetë Trump nëpërmjet rrjeteve sociale, duke deklaruar gjykatësi duhet te shkarkohet.

“Gjyqtarët e korruptuar, ose gjyqtarët aq të verbuar nga urrejtja e tyre ndaj meje dhe ideologjisë sime politike për ta “BËRË AMERIKËN SË MADHE SËRISH”, po tallen me Sistemin Gjyqësor të Shteteve të Bashkuara dhe bota po na shikon me neveri. Gjyqtari duhet të shkarkohet! Kjo është arsyeja pse njerëzit dhe kompanitë po ikin nga Nju Jorku, nga një sistem gjyqësor i korruptuar”, tha ai.

Dënimi më 10 Janar do ta bëjë Trump të dënuarin e parë për një vepër penale që do të shërbejë në Shtëpinë e Bardhë.

Tv Klan