Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump zgjedh ish-shefin e tij të zbulimit Richard Grenell, si të Dërguar Presidencial për Misione të Posaçme, një post ku ai pritet të ndihmojë administratën e ardhshme që të përballet me disa nga sfidat më të vështira të politikës së jashtme.
“Ric do të punojë për disa nga pikat më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut. Në mandatin tim të parë, Ric ishte ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani, ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe i dërguari presidencial për negociatat Kosovë-Serbi. Më parë, ai kaloi tetë vjet brenda Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke punuar me Korenë e Veriut dhe zhvillimet në shumë vende të tjera. Ric do të vazhdojë të luftojë për paqen përmes forcës dhe do të vendosë gjithmonë Amerikën të parë.”
Një burim nga ekipi i tranzicionit i Trump tha për agjencinë Reuters se Grenell do të fokusohet gjithashtu edhe tek tensionet në Ballkan, terren qe ai e njeh mirë pasi ka vepruar aktivisht, sidomos në afrimin e Serbisë dhe Kosovës përmes bisedimeve intensive. Emërimin e tij në këtë detyrë, ai e cilësoi një nder të madh.
“Të punosh në emër të popullit amerikan për Donald Trumpin është nderi më i madh i jetës. Presidenti Trump është dikush që u gjen zgjidhje problemeve, duke i mbajtur amerikanët të sigurt dhe të begatë. Kemi shumë punë për të bërë. Le të fillojmë punën.”
Richard Grenell është shprehur në favor të një marrëveshjeje paqeje që do të ruante territorin e Ukrainës megjithatë do të lejonte “rajone autonome” ku Rusia mund t’i kontrollonte.
Ai gjithashtu është kundër zgjerimit të NATO-s përfshirë anëtarësimin e Ukrainës, duke thënë se aleanca nuk duhet të zgjerohet derisa anëtarët aktualë të përmbushin objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes të aleancës.
Klan News