Psikiatrja Denisa Hoxha ka ndërtuar prej 5 vitesh një karrierë të suksesshme, fillimisht në Itali e tanimë në Gjermani. Ajo është në prag të publikimit të librit të saj të parë, “F*ck kritika! Shkëlqe me vetëbesimin tënd!”, i cili u vjen në ndihmë personave që vuajnë nga këto probleme.

Në intervistën e saj për “Rudina” në Tv Klan,  psikiatrja rrëfen se më parë ajo ka vuajtur nga i njëjti problem përpara se të kuptonte që mund të rikuperohej.

Denisa Hoxha: Ishte një luftë që unë kisha me veten time. Gjëja e parë që kam bërë kam filluar të lexoj libra.

Rudina Magjistari: Në ç’moment të jetës tënde ka ndodhur kjo? Kur e ke kuptuar që ti ke një lloj mungese të tillë dhe duhet ta ndryshosh jetën tënde, duhet të përmirësohesh dhe të rritesh, të fuqizohesh?

Denisa Hoxha: Siç e thashë edhe në fillim të programit, kam qenë gjithmonë në luftë të arrija majat Shqipëri, Itali, Gjermani, kam qenë një person gjithmonë në luftë. Arrija një synim dhe thoja dua të iki në Gjermani tani, por dua të bëj këtë specializim, doja gjithmonë të rritesha lart, lart e sa më lart dhe nuk gjeja një vetëkënaqësi kushedi se çfarë. I arrija synimet por asnjëherë nuk arrija këtë vetëkënaqësi dhe thashë mos ndoshta unë e kam problemin me veten time? Aty fillova të bëj psikoterapi, është një psikiatre shumë e njohur në Gjermani. Kam bërë gati 150 orë psikoterapi me atë.

Rudina Magjistari: Ti ndërkohë ishe vetë psikiatre?

Denisa Hoxha: Po, normale. Unë isha pacientja në këtë rast. E kuptova që kisha diçka që nuk funksiononte te vetja ime. Kisha një model në brendësinë time që unë duhet të mësoja të dilja dhe ajo më ndihmoi jashtë mase.

Hoxha shton se nuk arrinte të vetëkënaqej, edhe pse e dinte që kishte arritur të plotësonte shumë gjëra në jetë derisa mbërriti  një moment kritik.

Denisa Hoxha: Arriti një pikë ku trupi im hoqi dorë. Unë u sëmura, më doli një sëmundje autoimunitare. Unë nuk dija të ndalesha. Më duhej ajo sëmundje që unë të ndalesha. Trupi im tha “Denisa boll, stop” dhe aty unë fillova të analizoj gjithçka me veten time, thashë ndoshta duhet të naloj, ndoshta duhet të njoh vlerat e mia. Nuk duhet të presim sëmundjen ose një faktor të jashtëm që të na ndalojë për t’u qetësuar./tvklan.al