Në ‘episodin’ e tetë të rubrikës “Sy m’Sy”, kryeministri i vendit i është përgjigjur Kelit, i cili ankohet në koment për daljet e shpeshta të Ramës nëpër ekrane.

“Mirëmëngjes, u bëre bozë çdo ditë para ekranit. Mesa dimë një kryeministër ka të tjera punë e detyra nga ta nisë detyrën e re. Nejse për qytetari po ju dëgjojmë, jo se do na shuani kureshtjen për të rejat që do na thoni. E kemi nisur punën dhe ditën e re që në orën 05:00 të mëngjesit. Kalofsh mirë!”, është komenti i qytetarit.


Nga zyra e tij, Rama i thotë se komunikimi virtual me njerëzit është një ndër shumë gjërat që ai bën çdo ditë. Më tej, thekson se të vërtetat e mëdha nuk pasqyrohen në media e portale, prandaj duhen thënë shpesh nga ai apo qeveritarë të tjerë.

“I dashur Keli, puna ime është të udhëheq. Duke menduar, lexuar, analizuar, diskutuar, debatuar, vendosur, mbikëqyrur, koordinuar, harmonizuar dhe patjetër informuar. Edhe këto dritare të reja që kam hapur këtu janë për të debatuar, siç po bëjmë bashkë dhe për të informuar siç bëra për marrëveshjen strategjike dje në Abu Dhabi, të cilën edhe ti e komentove. Tani thua se një km ka të tjera punë e detyra ta nisë ditën, ndërsa unë them se për mua di ta nis me ty. Sepse sa hap sytë filloj e mendoj ç’do bëj sot me mandatin që kam marrë nga njerëzit, për vendin tënd dhe timin, për njerëzit e këtij vendi, siç je edhe ti. Dhe ji i sigurtë që në asnjë nga punët e mia të mëdha ose të vogla, asnjërën  nuk lë pa bërë. Dhe këto videot, janë një grusht minutash ndërkohë që dita ime nis sa gdhidhet dhe mbaron…Yhyy pas mesnate! Dritaret e reja i kam hapur që të paktën kush është këtu ta dijë çfarë bëjmë, ndër plot gjëra me rëndësi për vendin, njerëzit. Por që nuk ka rëndësi për kanalet dhe portalet që janë të zënë me gjyqet popullore, me gjysmë të vërtetat që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha.

Ja përshembull ke dëgjuar në ndonjë media se prodhimi nga energjia diellore në vendin tonë ka arritur në 10% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë. Jo! Por ama ke dëgjuar që Shqipëria e ka prodhuar energjinë që i duhet për vete dem baba dem, prandaj duhet ta ketë me bollëk etj etj. E pra, kjo është një gënjeshtër e madhe. Prandaj e ke dëgjuar, ndërsa e para është e vërtetë dhe nuk e ke dëgjuar. Sepse kështu funksionon! Çdo të vërtetë pozitive, këta mediatikët tanë e quajnë propagandë. I keni parë kur shtrihen dhe dergjen netëve në ato klubet mediatike dhe marrin nëpër gojë gjithë dynjanë?! Derisa ua sjellin njerëzve në majë të hundës?! Dhe e fundit Keli i dashur, askush s’është i detyruar të hyjë këtu, gjithkush hyn me dëshirë, me lloj lloj arsyesh. Unë them, shuaje edhe kureshtjen sepse realisht do marrësh vesh plot të reja që ndryshe nuk do të t’i thonë. Kanaleve dhe portaleve nuk u interesojnë gjërat serioze. Bëjnë spektakël me rrëmujën, me shpifjet, me sherret. Shpesh si ato të rrugaçëve të lagjes, I ke parë si kacafytem? Kështu që, bëjmë sa mundemi, jo sa duam. Se nuk i kemi të gjitha gjërat në dorë.”, thotë Rama.

Kreu i qeverisë ka edhe një rubrikë tjetër me të cilën informon që është ajo “Ç’ka ndo1 të re?”  dhe çdo fundjavë e shohim  me podcastin e tij “Flasim”.

/tvklan.al