Shpërndahen 75 apartamente për banorët e Kombinatit, të prekur nga tërmeti i 2019. Në ceremoninë e dorëzimit të çelësave, kryebashkiaku Erion Veliaj së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Blendi Gonxhja, u ndalën tek rëndësia e këtij procesi për banorët e prekur.
“Sot është një ditë e lumtur për këto familje, por është shumë e rëndësishme të kuptojmë pse u vonuam në këto 5 vite. Pse Bashkia e Tiranës duhej të merrej me 28 procese gjyqësore, që u hapën jo nga njerëzit, jo nga nevojtarët, jo nga banorët, por nga partiçkat politike, nga ato partiçka që sot po bëhen copë e çikë, ashtu siç u munduan të bënin copë e çikë njerëzit? Si ka mundësi që në lagjen 5 Maji pothuajse i kemi shpërndarë të gjitha apartamentet, njerëzit janë futur në shtëpitë e tyre, kurse në Kombinat e bëmë sot. Në qoftë se doni të mos sulmoheni, merruni me një punë tjetër. Jam i sigurt se kush punon në një ‘call center’, nuk e sulmon njeri se as nuk e di kush është në anën tjetër të telefonit”.
Ministri Blendi Gonxhja bëri me dijë se në njësinë numër 6 do të ndërtohen edhe 2 mijë apartamente sociale për shtresat në nevojë. Duke u ndalur në lagjen tjetër të rindërtimit, tek 5 Maji, pritet që deri në fund të marsit të shpërndahen edhe 273 apartamente të tjera.
Tv Klan