Nga “Sy m’Sy”, tek “Ç’kemi ndo1 të re?”– Kryeministri Edi Rama ka njoftur qytetarët përmes një videoje të postuar në Facebook se po niset drejt Romës, për prezantimin publik të “Giro d’Italia 2025”, eventit madhështor që do të mbahet këtë vit në Shqipëri. Duke e cilësuar një shtysë të veçantë për industrinë e turizmit, Rama thotë se peisazhet fantastike të vendit do të ekspozohen për qindra milionë teleshikues në të gjithë botën.


“Përshëndetje, për pak nisemi për Romë, për prezantimin public të Giro d’Italia-s që është një prej ngjarjeve më të mëdha vjetore të sportit e cila transmetohet nga 200 televizione të botës. Këtë vit, Shqipëria është zgjedhur si vendi i nisjes së madhe, ku do të zhvillohen 3 etapat e para dhe për tre ditë rresht bukuritë e vendit tonë, Durrësi e Kruja me historinë dhe peisazhin e tyre të mrekullueshëm. Tirana me zhvillimin e saj mbresëlënës, Vlora me luginën e lumit të saj, me majën e Llogarasë, me ujërat e Jonit dhe Adriatikut do të ekspozohen në sytë e 800 mln teleshikuesve. Pa llogaritur dhjetëra, mijëra tifoze të çiklizmit që do vijnë në Shqipëri për të ndjekur nga afër idhujt e tyre.

Kjo ngjarje e madhe sportive ku kandidatura e Shqipërisë u përzgjodh për edicionin e xhiros së këtij viti është një tjetër pasqyrë kuptimplotë e rritjes së popullaritetit ndërkombëtar të vendit tonë. Të vendit tonë, ku deri para ca vitesh, të tilla ngjarje e zhvillime as nuk mund të imagjinoheshin. Kjo është një tjetër shtysë e veçantë për rritjen e mëtejshme të industrisë sonë të turizmit, që është e re, por që e mbylli vitin e shkuar me thuajse 12 milion turistë. Shqipëria po bëhet dita-ditës dhe ngjitja e saj drejt majës së 2030-ës në Bashkimin Evropian, vazhdon përditë. E pandërprerë dhe e pandalshme!“, tha kreu i qeverisë.

Pritet që eventi i rëndësishëm të mbahet nga data 9 deri më 11 Maj. 3 etapat e para do të prekin Tiranën, Durrësin dhe Vlorën ndërsa të pranishëm do të jenë rreth 3 mijë persona sportistë dhe staf mbështetës.

/tvklan.al