Nisi si një përballje mes një babai e një vajzën, por detaje të tjera dolën në sipërfaqe. Klarida, në rubrikën “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, tregoi për historinë me ish-bashkëshortin e saj Amat Rrapin dhe për divorcin.

Gjatë emisionit, ajo u shpreh se bleu një banesë bashkë me ish-burrin. Por, në këtë shtëpi, Klarida nuk është futur asnjëherë. Sipas saj, ish-bashkëshorti jeton atje me një grua tjetër.

Të qenët një nënë e divorcuar për të ka qenë e vështirë, pasi i është dashur të mbajë dhe të rrisë e vetme, dy vajzat e saj. Gjithashtu, Klarida tregon se nga ky divorc nuk ka pasur asnjë ndarje pasurie.


Ardit Gjebrea: Ju keni bërë divorc?

Klarida: Po, në 2014-n kam bërë divorc.

Ardit Gjebrea: Me letra?

Klarida: Me letra, me letra.

Ardit Gjebrea: Atëherë kur ndahet një çift, ndahen edhe pasuritë, apo jo?

Klarida: Po, por nuk ishte paguar kësti i fundit zoti Ardit. Nuk kishim paguar 2500 eurot e fundit. Ndejtëm kaq vite me radhë sepse nuk kishim t’i paguaja.

Ardit Gjebrea: E kuptoj, po kjo shtëpi, nuk u nda?

Klarida: Jo! Nuk u nda kjo shtëpi.

Eni Çobani: Atëherë, Klarida, në 12.05.2014 je divorcuar nga zoti Amat Rrapi. Dhe, juve ju janë lënë dy vajzat për rritje dhe edukim dhe njëkohësisht zotit Amat i është lënë dhe një pension ushqimor 15 mijë lekë nga gjykata, 150 mijë të vjetra. Kjo pagesë është bërë nga 2014 dhe në vazhdim?

Klarida: Nuk kemi marrë kokërr leku, asnjë gjë. Fëmijët i kam vetë, fëmijët i kam mbajtur vetë, fëmijët i kam rritur vetë, fëmijët i kam edukuar vetë, mbi jetën time, mbi çdo gjë time, fëmijët janë mbi mua. Fëmijët i kam mbajtur vetë me të gjitha mundësitë dhe të gjithë forcat e mia. Një nënë e vetme, me dy vajza në mes të Athinës, kam jetuar, kam punuar, kam ushqyer dhe kam shkolluar 2 vajza zoti Ardit. Vajza e madhe ka mbaruar shkollën e lartë të ekonomikut; vajzën e dytë e kam prapë me studime. Dhe të gjitha këto janë zoti Ardit, mbi shpatullat e Klaridës. Edhe qiranë e shtëpisë, edhe të gjitha sa kërkon Greqia, vetëm mbi shpatullat e mia. Një nënë e vetme.

Eni Çobani: Kjo është nëna pa diskutim! /tvklan.al