Policia e Tiranës ka zbardhur konfliktin e ndodhur në Kamëz tre ditë më parë, ku u përplasën dy automjete tip Ford dhe Volkswagen.
Sipas uniformave blu, Elis Ademi 32 vjeç drejtonte makinën Ford me të cilën përplasi qëllimisht mjetin tjetër që drejtohej nga qytetari me iniciale I.Xh.
Pas aksidentit, 32-vjeçari Ademi u konfliktua fizikisht me shoferin tjetër, duke përdorur edhe një pistoletë.
Grupi hetimor zbuloi se Elis Ademi ishte paguar nga një person tjetër me iniciale S.C. për të dhunuar fizikisht qytetarin me iniciale I.Xh. Porositësi është shpallur në kërkim nga policia, po kështu edhe F.M., bashkëpunëtori i Elis Ademit.
Uniformat blu gjetën gjithashtu dhe sekuestruan armën e zjarrit të cilën Elis Ademi pas ngjarjes e kishte hedhur në Qerek, në zonën e Fushë-Krujës. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit E. A., për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe ”Prishja e qetësisë publike”. /
tvklan.al