Dëshmia e 39-vjeçarit shqiptar, Kastriot Cenko që vrau gruan e tij ka nxjerrë në dritë detaje rrëqethëse. Sipas asaj që shkruajnë mediat greke, Cenko e ka vrarë gruan e tij me çekiç dhe më pas e ka mbytur me kabllon e karikuesit celular.
Më pasi, ai e ka vendosur në dollapin e dhomës së gjumit, teksa fëmijët e çiftit, 9 dhe 12 vjeç, ishin në gjumë. Për ta fshehur krimin e rëndë nga fëmijët, ai ka thënë se i ka çuar ata në shtëpinë e të vëllait që të ishte vetëm në shtëpi. Më pas, ai e ka fshehur trupin e gruas për një javë rresht në papafingo.
“Të shtunën i kam çuar fëmijët në shtëpinë e vëllait që të kisha kohë dhe të isha vetëm në shtëpi. Pastaj mora trupin e saj të mbështjellë, i vendosa dy çanta sipër kokës dhe e çova lart në papafingo me një shkallë. Ishte shumë e rëndë dhe e kisha të vështirë ta ngrija vetë”, mësohet të ketë deklaruar ai.
Skenari ka vijuar më tej, teksa i ka dërguar mesazhe djalit të tyre ku i është paraqitur si e ëma e fëmijës. Mësohet se autori duke pretenduar se është gruaja e tij 32-vjeçare i ka shkruar djalit të tyre, të cilit i ka thënë se është larguar nga shtëpia dhe u ka kërkuar që të dëgjonin babain e tyre.
“Mami u largua, mori disa rroba me një valixhe dhe tashmë jam në Patra dhe nuk do të kthehem më në shtëpi. Prandaj, ki kujdes për vëllain tënd dhe dëgjo babin. Kur të mbledh para dhe të përgatis letrat, do të kthehem të të marr me vete. Për momentin do shkoj larg dhe jam ndarë me babin, ndaj dëgjojeni. Unë do ju telefonoj kur të mundem sepse tani nuk kam mundësi. Mos u shqetëso, do të marr kur të mundem. Të dua shumë. Tani nuk mund të flas më, por mos u shqetëso. Do të jem mirë. Edhe një gjë, babi nuk e di që jam larguar, kur të lexojë mesazhin, thuaji që do ta marr në telefon, por ai të mos më marrë”, thuhej në një prej komunikimeve.
Në një mesazh tjetër shkruhej: Kur të mbledh para për të rregulluar letrat do të vij të marr ty dhe vëllain tënd. Mos u shqetësoni për këtë. Unë të dua shumë dhe do të të marr kur të mundem.
/tvklan.al