Një oficer i rangut të lartë i ngarkuar me Trupat e Mbrojtjes Bërthamore, Biologjike dhe Kimike të Rusisë është vrarë në një shpërthim në Moskë. Gjeneral Igor Kirillov dhe ndihmësi i tij u vranë nga shpërthimi i një bombe e cila ishte fshehur në një skuter.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë hyrjen e një ndërtese të dëmtuar rëndë. Komiteti hetimor tha se shpërthimi ndodhi jashtë një pallati në Ryazansky Prospekt në juglindje të Kremlinit.

Një banore vendase, u shpreh se nuk e dinte që gjenerali jetonte në këtë bllok banimi.

“E kam njohur vetëm nga mediat. Nuk e kisha idenë se ai jetonte në bllokun tonë. E pashë vetëm në TV”.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass raporton se pajisja që vrau gjeneralin Kirillov u operua nga distanca. Bomba kishte rreth 300 g lëndë shpërthyese. Ndërkaq Ukraina pretendon se qëndron pas vrasjes së gjeneralit. Mediat ukrainase raportojnë gjithashtu se gjenerali u vra nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës. Incidenti ndodhi një ditë pasi shërbimi i sigurisë i Ukrainës raportoi se prokurorët ukrainas ngritën një akuzë kundër Kirillov, duke e akuzuar atë si përgjegjës për përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase gjatë agresionit rus.

Igor Kirillov
Igor Kirillov

Që nga viti 2022, gjeneral Kirillov vazhdimisht pretendonte pa dhënë prova se Ukraina po zhvillonte një armë që do të përhapte materiale bërthamore. Ai tha se qëllimi ishte të fajësohej Rusia për përdorimin e saj. Nuk ka asnjë provë që Kievi po punonte për të zhvilluar një armë të tillë. Hetuesit dhe ekspertët kanë bërë të ditur se vrasja e gjeneralit dhe ndihmësit të tij do të kërkojë kohë deri në zbulimin e plotë të saj.

Në tetor, Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj gjeneralit Kirillov, duke thënë se ai kishte mbikëqyrur përdorimin e armëve kimike në Ukrainë dhe kishte përhapur lajme të rreme ruse. Në atë kohë, Britania e Madhe tha se forcat ruse kishin pranuar hapur përdorimin e armëve kimike të rrezikshme në fushën e betejës.

Klan News