Rusia ka arrestuar një shtetas nga Uzbekistani si autor te vendosjes se bombës nën një monopatinë ku humbi jetën gjenerali Igor Kirillov.

29-vjeçari dyshohet se ishte rekrutuar nga shërbimet speciale ukrainase dhe kishte marrë 100 mijë dollarë për të vrarë gjeneralin si dhe një udhëtim në Bashkimin Evropian, raportojnë mediat. Ai u arrestua në fshatin Chernoye prane Moskës, njoftoi agjencia e lajmeve Ria.

Media shkruajnë se i dyshuari, i u tha hetuesve se kishte vendosur një kamerë vëzhgimi në një makinë me qira aty pranë dhe se organizatorët e atentatit e kishin kryer shpërthimin nga distanca. Komiteti hetimor i Rusisë thotë se po identifikon persona të tjerë të përfshirë në organizimin e atentatit. Ministria e Jashtme e Rusisë ka bërë të ditur se do të ngrejë këtë çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Kirillov, kreu i njësisë së armëve kimike, biologjike dhe radiologjike të ushtrisë, u vra në një shpërthim së bashku me ndihmësin e tij ndërsa të po dilnin nga një ndërtesë në juglindje të Moskës.

Vrasja vjen pasi shërbimi i sigurisë i Ukrainës raportoi se prokurorët ukrainas ngritën një akuzë kundër Kirillov, duke e akuzuar atë si përgjegjës për përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase gjatë agresionit rus.

Që nga viti 2022, gjeneral Kirillov vazhdimisht pretendonte  pa dhënë prova  se Ukraina po zhvillonte një armë që do të përhapte materiale bërthamore. Ai tha se qëllimi ishte të fajësohej Rusia për përdorimin e saj. Nuk ka asnjë provë që Kievi po punonte për të zhvilluar një armë të tillë.

Në tetor, Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj gjeneralit Kirillov, duke thënë se ai kishte mbikëqyrur përdorimin e armëve kimike në Ukrainë dhe kishte përhapur lajme të rreme ruse.

Klan News