I ftuar këtë të premte në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë këngëtari i njohur, Luan Durmishi, i cili për më shumë se dy dekada ka bërë një karrierë shumë të pasur, në disa fusha të artit.

Ai tregoi në studio edhe për projektin e tij më të ri, që do të vijë së shpejti, albumin me emrin “Uniformë”. Durmishi u shpreh se ky album do të përmbledhë të gjithë karrierën, sfidat dhe të bukurat e jetës së tij.

Gjithashtu, artisti zbuloi një këngë nga projekti, e cila i dedikohet gjinisë femërore dhe që ai e shkroi kur ndodhej në Romë, teksa pinte një kafe përballë Panteonit.  


Rudina Magjistari: Je aktualisht duke punuar për një album të ri, albumi “Uniformë”; një album për të cilin ne nuk është se kemi shumë informacion, kështu që unë do të doja të na tregoje diçka dhe kur do të jetë gati. Çfarë do të ketë të përfshirë në të, ndoshta diçka risi që mund të kesh përfshirë aty?

Luan Durmishi: Absolutisht. “Uniformë” përmbledh të gjithë karrierën time, të gjithë sfidat e mia dhe të gjithë të bukurat e jetës, brenda albumit “Uniformë” dhe këtij 30-vjeçari, që nga fëmijëria. Në albumin “Uniformë” gjen moshën e fëmijërisë, gjen moshën e adoleshencës, gjen moshën tonë, gjen moshën e më të moshuarve. Brenda lajtmotivit të albumit “Uniformë”, me të gjitha këngët e saj, trajtohen këngë sociokulturore që na preokupojnë neve dhe historikun tonë shqiptar, por gjithmonë me një muzikë të punuar jashtëzakonisht me detaje dhe sa më afër standardeve botërore.

Rudina Magjistari: Kur do të jetë gati ky album për artdashësit?

Luan Durmishi: Albumi është në proces e sipër, gati në përfundim dhe do të kurorëzohet me një koncert Live, që jam duke punuar për ta mbajtur në Tiranë, sepse unë kam një lidhje jashtëzakonisht të fuqishme me Tiranën. Kam pak miq, por ata që i kam janë ari.

Rudina Magjistari: Vjen shpesh në Tiranë, apo jo?

Luan Durmishi: Kohëve të fundit po, shumë shpesh. Ajo çka do ta potencoja në album, që më duhet patjetër domethënë, është një këngë e cila i dedikohet gjinisë më të bukur femërore, nënave tona dhe quhet: “Panteon”. E kam shkruar tekstin kur kam vizituar mrekullinë e Panteonit në Romë dhe jam ulur të pi një kafe përballë Panteonit. Unë jam tashmë, mund të them, i fuqishëm në interpretimin Live, në skenë, por “Panteon” nuk e di sesi do ta interpretoj.

Rudina Magjistari: Do kesh emocione aty mendon? Mund të jetë edhe një dedikim nënës tënde njëkohësisht.

Luan Durmishi: Mund të jetë sigurisht. Mund të jetë nëna ime, mund të jeni ju, mund të jenë të gjitha ato zonjat atje, mund të jetë motra ime. “Panteon” është një këngë jashtëzakonisht e bukur, jashtëzakonisht e rëndësishme në album. /tvklan.al