Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus është rikthyer në sezonin e 4-t të transmetimit. Në këtë puntatë emisioni Uniko trajtoi episodin e katërt të vrasjes së Martin Çeços, ngjarje e ndodhur në fshatin Kolanec të Maliqit.
Tina Pajollari, vajza që u përfol si mollë sherri për krimin, ka folur sërish për gazetarin Spartak Koka duke rrëfyer të gjithë historinë.
Aktualisht në qeli për vrasjen e Martin Çeços 26 vjeç po mbahen 3 persona; Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Bledi Angjo. Nga policia dhe prokuroria u tha në fillim se Valter Mollaj është i dyshuari kryesor për vrasjen dhe se krimin mendohet që ta ketë kryer për shkak të xhelozisë pasi ka patur lidhje intime jashtëmartesore me Tina Pajollarin.
Por çfarë thotë kjo e fundit? Në këtë intervistë të dytë me gazetarin Spartak Koka, Tina Pajollari i tregon të gjitha. Si ra në kontakt me Martin Çeçon? Çfarë e lidh atë me Valter Mollaj? A janë të vërteta dyshimet që ka patur lidhje intime me Valter Mollajn? Çfarë i shkruante i ndjeri Martin Çeço në Facebook? Përse herën e parë kur u mor në pyetje nga hetuesit deklaroi se Martin Çeçon e vrau Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Bledi Angjo?
Spartak Koka: Ke pranuar të japësh një intervistë të dytë për çfarë ka ndodhur për një ngjarje që tashmë është bërë shumë e njohur për opinionin publik, një ngjarje tragjike. Martin Çeço nga Kolaneci ka humbur jetën dhe jeni personi i cili jeni përmendur nga policia, nga prokuroria në materialet hetimore për këtë çështje, person i cili thuhet që jeni personi i fundit që keni kontaktuar me Martinin. Në ç’rrethana e njihni ju Martin Çeçon?
Tina Pajollari: Më kishte çuar ftesë, e pashë, nuk e njihja, nuk desha ta pranoja. Pas 2 ditësh më kishte shkruar jashtë Facebookut “Të dua”, “çkemi”, “si je”, “e kam seriozisht”. Unë e pashë, nuk ktheva, i lashë ashtu përsëri. As kam folur, as e njihja.
Spartak Koka: Kur të ka shtuar si shok?
Tina Pajollari: Nuk e mbaj mend mirë. Verë ka qenë. Më kishte çuar ftesë, e pashë dhe nuk e pranova. As e njihja.
Spartak Koka: Të shkruajti në murin e jashtëm?
Tina Pajollari: Po, aty më kishte shkruar pastaj. I pashë dhe aty, prapë nuk ktheva gjë. Thashë nuk e njoh, për çfarë të pranoj.
Spartak Koka: Po në Messenger të kishte shkruar?
Tina Pajollari: Po, në Messenger i kishte shkruar. Kishte dërguar ca gjëra për të qarë, të dua, pse ma bën këtë, më fal Tina. Unë nuk e dija fare për çfarë e kishte bërë më fal. Kur i hapi policia më tha për çfarë të ka kërkuar falje? I thashë nuk e di. Kush e di çfarë i ke thënë ti, tha, që ka kërkuar falje. Nuk kam shkruar fare i thashë unë.
Spartak Koka: Sa herë të ka shkruar? Të shkruante shpesh?
Tina Pajollari: Të them të drejtën vetëm një herë e pashë që më kishte shkruar jashtë…
Spartak Koka: Po në brendësi në Inbox?
Tina Pajollari: Jo.
Spartak Koka: S’të ka shkruar mesazh të brendshëm?
Tina Pajollari: Jo.
Spartak Koka: Vetëm jashtë?
Tina Pajollari: Vetëm jashtë se nuk e pranova.
Tina Pajollari: Përse akuzova Valter Mollajn, Edlir Mollajn dhe Bledi Angjon
Kushërinjtë Valter Mollaj e Edlir Mollaj dhe çobani i tyre Bledi Angjon janë 3 të arrestuarit si të dyshuar për vrasjen 26-vjeçarit Martin Çeço, ngjarje e ndodhur në fshatin Kolanec të Maliqit në muajin Qershor 2022.
Ata u arrestuan pas dëshmisë së Tina Pajollarit, e cila fillimisht është konsideruar si “molla e sherrit” që çoi në vrasjen e Martin Çeços.
Sipas hetimeve të para të policisë dhe prokurorisë, u tha se Tina Pajollari kishte lidhje intime me Valter Mollajn dhe për shkak se Martini kishte kërkuar të lidhej me Tinën, kishte ndodhur më pas edhe krimi.
Këtë variant e mbështet sot edhe Tina Pajollari, e cila ka dhënë një intervistë të dytë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus.
Në këtë intervistë ajo thotë përse akuzoi 3 të sipërpërmendurit për vrasjen e Martin Çeços dhe përse deklaroi në polici në dëshminë e saj të parë që kishte lidhje intime me Valter Mollajn.
Tina Pajollari: Më morën në pyetje, qëndrova gjithë natën, po thosha që jo nuk kam folur unë, nuk dija fare. Vajtëm në mëngjes, jo do të çojmë në polici, jo po më thërrisnin më kërcënonin.
Spartak Koka: Si po të thërrisnin?
Tina Pajollari: Më thërriste policia, më thonin që trego se ti e di, ti ke folur, do të çojmë në burg në qoftë se nuk tregon. Qimja e flokut të mban, ose trego ose ike në burg.
Spartak Koka: Për çfarë duhet të ikje në burg?
Tina Pajollari: Kisha frikë dhe unë thashë nga frika për 3 autorët që janë atje.
Spartak Koka: Po çfarë ke thënë për autorët?
Tina Pajollari: Unë thashë për Bledi Angjo të parin që ka qenë ai, ka folur ai me telefonin tim dhe i ka thënë që Martinin e ka kërcënuar që mos i bjer…Më panë telefonin, më thanë çfarë e ke Edlir Mollajn, Emiljan Mollajn, po më pyesnin për të tëra ngaqë kisha folur në Facebook. Po unë këtyre ju çoja lopët. Dhe Edlir Mollaj më kishte shkruar më kishte thënë për lopët. Ndërsa këto po më thonin që mos vallë ke bashkëpunuar me këta dhe keni shkuar keni vrarë Martinin bashkë. Dhe unë nga frika e pranova. Thashë unë po. Thashë që ai e ka vrarë, Edlir Mollaj dhe Valter Mollaj.
Spartak Koka: Me kë pranove që kishe lidhje dashurie? Me Valterin? Edlirin?
Tina Pajollari: Po, për Valterin.
Spartak Koka: Po pse nuk zgjodhe dikë tjetër por zgjodhe Valterin?
Tina Pajollari: Për çfarë?
Spartak Koka: Për të pranuar që ke pasur lidhje dashurie?
Tina Pajollari: Po se për Valin më përmendnin shumë atje dhe unë e pranova.
Spartak Koka: Po pse përmende Bledi Angjon të parin?
Tina Pajollari: Ai më erdhi në ato momente dhe thashë për Bledi Angjon. Pastaj siç më panë telefonin dhe thashë për Edlir Mollaj pastaj dhe për Valterin. Po më pyesnin ku punon Bledi Angjo, i thashë unë te Valter Mollaj është çoban.
Një tjetër person u pyet për vrasjen e Martin Çeços, Tina Pajollari: Ka qenë ish i dashuri im
Tre persona vijojnë të mbahen në qeli si të dyshuar për vrasjen e Martin Çeços, 26-vjeçarit trupi i të cilit u gjet në rezervuarin e Kolanecit në Maliq në Qershor të këtij viti.
Por një tjetër person është marrë në pyetje për këtë vrasje. Ai është Edison M., i cili është shoqëruar para disa kohësh nga policia dhe është pyetur për ngjarjen. Më pas është lënë i lirë.
Ky person ka qenë i dashuri i Tina Pajollarit, vajzës që konsiderohet deri më tani si “mollë sherri” për krimin e ndodhur, edhe pse kjo e fundit mohon që të ketë kontaktuar apo të ketë patur lidhje me Martin Çeçon.
Në një intervistë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, Tina Pajollari rrëfen se emrin e Edison M. policia e pa në telefonin dhe bisedat e saj në Facebook. Tina pranon se me Edison M. ka patur më parë lidhje dashurie.
Sipas saj, Edison M. u pyet nga policia për vrasjen e Martin Çeços dhe pastaj u la i lirë.
Tina Pajollari: Edison M. e kisha shok në Facebook, kisha folur me atë. Ata po më thonin që pse ke folur, çfarë e ke…
Spartak Koka: Ke patur lidhje dashurie me Edison M.?
Tina Pajollari: Po, më përpara po.
Spartak Koka: Tashmë jo?
Tina Pajollari: Tash jo!
Spartak Koka: Jeton një fshat më lart?
Tina Pajollari: Më poshtë…
Spartak Koka: Sa herë të kanë marrë në pyetje deri në këto momente?
Tina Pajollari: Më kanë marrë shumë herë.
Spartak Koka: Dhe çfarë të thonë?
Tina Pajollari: Përsëri të njëjtën pyetje. U qëndron këtyre deklaratave që ke dhënë? Jo thashë se unë i kam thënë nga frika. Në rregull thanë, shko thuaji në gjykatë që unë i kam thënë nga frika.
Spartak Koka: Po në Kolanec përse të kanë çuar?
Tina Pajollari: Më çuan te rezervuari.
Spartak Koka: Kur?
Tina Pajollari: Po bën goxha.
Spartak Koka: Pasi unë kam ardhur këtu për intervistën apo përpara?
Tina Pajollari: Pas asaj. Më thonin që trego rrugën. Unë s’e dija rrugën fare andej. Unë i thashë deri në fshatin Lekas e di, isha vetëm, frikë kisha, më thonin kur të të pyes unë a të të kujtohet ndonjë gjë, më thonin thuaj po. Shikonte ndonjë gjë ai dhe kujtohej dhe unë ngaqë kisha frikë thoja po, e pranoja.
Spartak Koka: Edhe herët e tjera i ke pranuar?
Tina Pajollari: Po, thoja po.
“Bëhej xheloz për mua që flisja me Martinin, prandaj e vrau”, zbulohet rrëfimi i parë i Tina Pajollarit në polici
Në emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, Martina Pajollari ka rrëfyer variantin e parë të dëshmisë që ajo ka dhënë në polici pas vrasjes së 26-vjeçarit Martin Çeço, trupi i të cilit u gjet i hedhur në rezervuarin e Kolanecit në Maliq në Qershor 2022.
Pas dëshmisë së parë të Tinës, u arrestuan dhe mbahen ende në qeli Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe çobani i dy kushërinjve, Bledi Angjo.
Në intervistën me gazetarin Spartak Koka, Tina Pajollari tregon se sipas variantit të saj të parë në polici, i interesuar për të vrarë Martin Çeçon ka qenë Valter Mollaj. Kjo, sipas saj, sepse Valteri bëhej xheloz që Tina fliste me Martinin.
Gjithmonë sipas këtij varianti, Valter Mollaj kishte lidhje dashurie jashtëmartesore me 18-vjeçaren Tina Pajollari, të dy banues në të njëjtin fshat.
Por këtë variant të parë të dëshmisë së saj, Tina Pajollari thotë sot se nuk e mbështet më. Ajo tregon se ka gënjyer dhe asgjë nuk është e vërtetë. Këto deklarime të para në polici i bëri sepse skishte frikë, thotë Tina Pajollari.
Spartak Koka: Tre herët e fundit i ke qëndruar versionit që ke marrë pjesë në krim apo nuk ke marrë pjesë në krim?
Tina Pajollari: Jo kam thënë.
Spartak Koka: Çfarë ke deklaruar herën e fundit që e ke pranuar krimin? Ke thënë që ke qenë dhe ti në Kolanec?
Tina Pajollari: Po.
Spartak Koka: Si e ke thënë? A mund të na e rrëfesh?
Tina Pajollari: Thashë që isha dhe unë me ata, unë qëndrova në makinë.
Spartak Koka: Si e kë përshkruar? Kush ishte ideatori që do ta vriste? Si e ke përshkruar ti ngjarjen?
Tina Pajollari: Ishte Valter Mollaj, thashë unë, ishte Edlir Mollaj. Ishte makina e Valter Mollajt, ishte dhe çobani. Shkuan të tre, unë qëndrova në makinë. Nuk zbrita.
Spartak Koka: Sipas këtij versioni kush ishte i interesuar ta vriste?
Tina Pajollari: Valter Mollaj!
Spartak Koka: Përse?
Tina Pajollari: Sepse bëhej xheloz që unë flisja me Martinin dhe ai bëhej xheloz për mua.
Spartak Koka: Kështu e ke thënë?
Tina Pajollari: Po!
Spartak Koka: Duke kundërshtuar këtë version që ke thënë, a ke frikë se ka prova në telefonin tënd që tregojnë të kundërtën e asaj që po na thua tani. Se tani po na thua që nuk ke folur kurrë në telefon me Martinin. Dhe po na thua që nuk i ke kthyer kurrë përgjigje Martinit. A ke frikë se nga telefoni i Martinit apo i joti të zbulohet që ke folur me Martinin?
Tina Pajollari: Jo.
Spartak Koka: Je e sigurt?
Tina Pajollari: Po, shumë e sigurt!
Spartak Koka: Po sikur të dalë që ke folur, çfarë do thuash?
Tina Pajollari: Jo, nuk kam folur. Jam shumë e sigurt që nuk kam folur.
Spartak Koka: Do t’i qëndrosh këtij versioni apo do kesh një version tjetër të tretë?
Tina Pajollari: Jo, do t’i qëndroj këtij versioni.
Spartak Koka: Se kjo është e vërteta apo se kjo të intereson?
Tina Pajollari: Po, kjo është e vërteta.
Një tjetër vajzë del në historinë e vrasjes së Martin Çeços, kush është Arjola?
Në historinë e vrasjes së 26-vjeçarit Martin Çeço del një tjetër vajzë. Ajo është Arjola Hamza, nga fshati Goskovë i Korçës. Ajo është intervistuar nga gazetari Spartak Koka i emisionit Uniko në Klan Plus. Arjola tregon se Martin Çeço e kishte kërkuar disa kohë më parë për nuse.
Për t’i kërkuar dorën, Martini kishte shkuar i shoqëruar nga Xhoni Potka, kunati i Tina Pajollarit, dhe një person tjetër i quajtur Arteri i cili merrej me mblesëri në fshatin Goskovë dhe për këtë ai merrte rreth 1 milion Lekë të vjetra.
Arjola thotë se e ka njohur Martinin kur i shkuan t’i kërkonin dorën. Por ajo nuk pranoi se në atë kohë ishte e lidhur. Bëhet fjalë për vitin 2019.
Nga deklarimet e Arjolës kuptohet se Martin Çeço kishte njohje me Xhoni Potkën, i cili është kunati i Tina Pajollarit, vajza që është konsideruar “mollë sherri” për vrasjen e 26-vjeçarit, por që tani 18-vjeçarja mohon deklarimet e saj të para në polici.
Në intervistën për emisionin Uniko, Tina Pajollari tregoi se së fundmi motra e saj është ndarë nga bashkëshorti Xhoni Potka. Ndarja ndodhi pas vrasjes së Martinit, pasi mesa duket kishte mësuar se Xhoni Potka kishte njohje me të ndjerin Martin Çeço.
Spartak Koka: A mund të më tregoni si e njihni Martin Çeçon?
Arjola Hamza: Martin Çeço erdhi me Arterin dhe me Xhoni Potkën nga Goskova, erdhi në shtëpinë time që në 2019.
Spartak Koka: Për çfarë?
Arjola Hamza: Për të më kërkuar dorën.
Spartak Koka: Për t’u martuar?
Arjola Hamza: Për t’u martuar.
Spartak Koka: Dhe përse nuk e pranuat?
Arjola Hamza: Po unë nuk e desha se kisha një lidhje tjetër në Facebook me një djalë tjetër.
Spartak Koka: Çfarë ndodhi pastaj? Kush erdhi këtu? Xhoni ju njihte juve familjarisht?
Arjola Hamza: Po Xhoni na njihte dhe Arteri. Të deshëm për nuse, tha, i njihte prindërit e mi dhe je vajzë e mirë e kështu…
Spartak Koka: Djalin e pe? E takove Martinin?
Arjola Hamza: E takova Martinin edhe Arteri më detyronte të dilja foto me Martinin.
Spartak Koka: Si të dilje foto?
Arjola Hamza: Dola bashkë me Martinin, por të besuar motrat e Martinit që kishin ardhur në shtëpinë time. Dhe më tha Arteri dil foto.
Spartak Koka: Nuk dole ti?
Arjola Hamza: Dola një foto, po pastaj e mbyllëm muhabetin që atë ditë.
Spartak Koka: Ti i the jo?
Arjola Hamza: Unë i thashë nuk dal se kam një lidhje tjetër në Facebook.
Spartak Koka: Në rast se nuk do ishe e lidhur, do martoheshe me Martinin?
Arjola Hamza: Po ai djali i mirë ishte, ishte i urtë. Djalë i sinqertë më dukej.
Spartak Koka: Po Xhoni Potkën e njeh?
Arjola Hamza: Nga larg e njoh, kështu nga afër s’e kam takuar ndonjëherë.
Spartak Koka: Po juve familjarisht ju njihte Xhoni apo Arteri? Të dy erdhën?
Arjola Hamza: Të dy erdhën.
Spartak Koka: Po Xhoni vinte për herë të parë?
Arjola Hamza: Për herë të parë.
Spartak Koka: Xhoni e kishte shok Martinin?
Arjola Hamza: Nuk e di unë ç’kishte Xhoni.
Spartak Koka: Arteri do merrte lekë për mblesërinë që do bënte me ju?
Arjola Hamza: Arteri merr lekë, kështu kam dëgjuar, merr nga 1 milionë e ca lekë.