Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në bashkëpunim me institucionin financiar NOA, injektoi me sukses 2 milionë dollarë amerikanë në sektorin e këpucëve dhe veshjeve në Shqipëri përmes zbatimit të Projektit të Kredisë për Këpucë dhe Veshje (FALP), i cili u lançua në janar 2023.
Produkti i kredisë, i krijuar për të stimuluar rritjen dhe konkurrueshmërinë e industrisë së këpucëve dhe veshjeve në Shqipëri, ofroi kredi pa kolateral deri në 75,000 euro (rreth 83,000 dollarë amerikanë), të shoqëruara me asistencë teknike të dedikuar për 74 ndërmarrje të vogla dhe të mesme (SME) në të gjithë Shqipërinë.
Në industrinë e tekstileve, veshjeve, lëkurës dhe këpucëve në Shqipëri, pavarësisht potencialit të lartë, numri i bizneseve aktive ka rënë me shtatë për qind dhe numri i punonjësve ka rënë me 19 për qind që nga viti 2022. Kjo rënie është përkeqësuar më tej nga ndikimet e vazhdueshme të COVID-19, luhatjet e monedhës euro dhe rritja e çmimeve si rezultat i pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Investimet e FALP-it mbrojtën dhjetëra kompani nga falimentimi i mundshëm duke i lejuar atyre të përmirësojnë linjat e tyre të prodhimit, të ruajnë kostot e stafit dhe të përmbushin detyrimet kontraktuale eksportuese.
Si rezultat, FALP ka kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e qindra vendeve të punës dhe miliona euro eksporte shqiptare, duke pasqyruar ndikimin pozitiv që vjen nga kombinimi i zgjidhjeve financiare inovative me asistencë teknike. Ky kontribut gjithashtu reflekton mundësinë e përsëritjes dhe të rritjes së një mekanizmi garancie financiare, i cili mund të aplikohet në sektorë të tjerë kyç, si agroturizmi dhe zgjidhjet për efiçencen e energjisë.
NOA, një institucion financiar i licencuar nga Banka e Shqipërisë, ka ofruar zgjidhje financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME), fermerët dhe familjet që kanë akses të kufizuar në financa për shkak të barrierave gjeografike, sociale ose administrative që nga viti 1998. Aktiviteti USAID CATALYZE Engines of Growth (EoG) bashkëpunoi me NOA-n dhe shoqatën e biznesit Pro-Export Albania për të dizajnuar këtë produkt financiar inovativ, i cili i përgjigjet nevojave të SME-ve që operojnë në këtë industri, e cila është për më tepër i karakteriziuar nga një përqëndrim tejet i lartë i grave, në çdo nivel të biznesit.
Z. Adam Norikane, Këshilltar i Lartë Teknik i USAID-it, i cili foli në event, tha: “Si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të USAID-it për fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri, jemi krenar që kemi bashkëpunuar me NOA-n për Projektin e Kredisë për Këpucë dhe Veshje për të ndihmuar në mbrojtjen e qindra vendeve të punës dhe për të forcuar konkurrueshmërinë e Shqipërisë në skenën globale. Kjo iniciativë thekson përkushtimin tonë për të ofruar zgjidhje financiare inovative që mund të mbështesin industri kyçe dhe të hapin rrugën për një rritje të qëndrueshme, edhe përballë sfidave ekonomike.”
Objektivat e projektit FALP ishin dyfishe: testimi i reagimit të një sektori me rritje të lartë ndaj futjes së një skeme garancie që synonte drejtpërdrejt bizneset përfituese; dhe, vlerësimi i interesit dhe kapacitetit institucional për një mekanizëm të ngjashëm në sektorë të tjerë. Suksesi i projektit solli një përfitim financiar pesëfish më të lartë nga investimi fillestar (rreth 400,000 dollarë amerikanë në kosto projekti, për 2 milionë dollarë të injektuara), duke konsoliduar arsyetimin mbështetës në krijimin e një fondi të madh garancie që mbështet drejtpërdrejt bizneset që nuk kanë akses në produktet tradicionale bankare.
Z. Edvin Prence, Kryetari i Shoqatës Pro-Export Albania, tha: “Projekti i Kredisë për Këpucë dhe Veshje (FALP) ishte një program që synonte ofrimin e mbështetjes financiare/kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) në industrinë e këpucëve dhe veshjeve. Objektivat e projektit përfshinin asistencën financiare, mbështetjen për inovacion, trajnimin për zhvillimin e biznesit, ndërtimin e kapaciteteve, qëndrueshmërinë dhe zgjerimin e tregut.”
Znj. Herjola Spahiu, Drejtore Ekzekutive e NOA-s, deklaroi: “Financimi i FALP-it ishte tërësisht i dedikuar sektorit të këpucëve dhe veshjeve në Shqipëri, duke shënuar një iniciativë novatore për një industri ku financimi ishte i pamundur pas zhvlerësimit të eksporteve. Qëllimi ynë ishte të ishim të parët që mbështesnim bizneset e reja me rrezik të lartë, duke siguruar një rritje afatgjatë për një sektor që punëson dhjetëra mijëra gra dhe kontribuon ndjeshëm në eksportet shqiptare. Unë besoj se e kemi arritur këtë qëllim.”
Ky projekt u bë i mundur falë mbështetjes bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nën projektin USAID CATALYZE Engines of Growth.