Manchester United ka konfirmuar se Ruud Van Nistelrooy do të largohet nga klubi, pas bisedimeve me trajnerin e ri Ruben Amorim. Ikona e “Djajve të kuq” ishte në stol për katër ndeshje si trajner i përkohshëm që nga zëvendësimi i Erik ten Hag dhe e pranoi se kishte dëshirë që të qëndronte pas fitores 3-0 të së dielës në Premier League ndaj Leicester City.

Van Nistelrooy u kthye në ‘Old Trafford’ në verë pasi u bind nga ish-tekniku ten Hag të merrte detyrën e ndihmës-trajnerit. Të shumtë ishin tifozët që shpresonin se Van Nisterlrooy do të qëndronte, por kjo nuk ndodhi.

Amorim kishte fjalën e fundit nëse ai do të donte ta bënte holandezin pjesë të ekipit të tij, e portugezi përfundimisht vendosi që të mos të vazhdonte bashkëpunimin. “Djajtë e kuq” e konfirmuan lajmin, ku e falënderuan holandezin për kontributin e tij si trajner dhe theksuan se ish-sulmuesi do të jetë gjithmonë një ‘legjendë’ në ‘Old Trafford’.

13 herë kampionët e Premier League – të cilët aktualisht janë në vendin e 13-të në renditje, njoftuan se ish-asistentët e tjerë të Ten Hag, e kanë ndërprerë bashkëpunimin. Amorim pritet që të emërojë një ekip zv/trajnerësh të përbërë nga ndihmësit e tij te Sporting Lisbona, Carlos Fernandes, Adelio Candido dhe Emanuel Ferro.

Klan News