Lajme Arkiva 2003
Prej disa ditësh, baza ushtarake e Bishtit të Pallës është tronditur nga një ngjarje e rëndë. Një 16 vjeçare ka denoncuar disa nga ushtarët se pasi e kanë përdhunuar e kanë shitur dhe trafikuar në Kosovë.
Përveçse një ngjarje e dhimbshme, kjo ngjarje ka marrë përmasa edhe më të mëdha. Është tronditur imazhi i ushtrisë shqiptare. Policia ka deklaruar se do të vazhdojë me arrestimet. Në orët e pasdites janë prangosur edhe tre persona pas 9 marinarëve të parë të ndaluar gjatë ditës së djeshme.
Pëllumb Hasan Bardhi dhe Vasil Dushku, ushtarë të distriktit detar të Bisht Pallës dhe Shkëlqim Sheta, pronar i lokalit “Rinia” ku është mbajtur e mitura, janë identifikuar nga kjo e fundit ndër personat që kanë bashkëpunuar në krim.
Tashmë baza e Bishtit të Pallës, diskutuar kohët e fundit për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për rikonstruksionin e saj , së fundmi u bë e njohur si vendi i një skandali. Ai ka ngritur në këmbë krerët e ushtrisë shqiptar të cilët janë të detyruar të kërkojnë falje publike për ngjarjen.
Prokuroria dhe Policia e Durrësit kanë deklaruar se janë ende në fazën e hetimit dhe kanë theksuar se është krejtësisht e pamundur kontaktimi me viktimën 16 vjeçare e cila gjendet nën kujdesin e policisë.
Ajo ka treguar se mbahej në një nga kapanonet e Bisht Pallës, prania e saj në bazë nuk ka rënë në sy të oficerëve gjatë kontrolleve rutinë në mjediset e bazës, pasi vetë marinarët gjatë kësaj kohe transportonin në breg të detit.
Megjithatë kjo nuk ka justifikuar aspak zyrtarët e distriktit. Është pezulluar menjëherë komandanti i parë i saj Vladimir Bajrami. Kjo çështje do të bëjë përgjegjës një numër të madh personash.
Jo vetëm ushtarak kanë siguruar krerët e antitrafikut Durrës, madje për këtë arsye është menduar që puna e policisë të ndahet në dy operacione, i pari sapo ka përfunduar deklaroi një zyrtar i antitrafikut dhe kishte të bënte me prangosjen e marinarëve të repartit.
Operacioni i dytë do të shtrihet në disa rrethe të vendit dhe do të arrestohen personat që kanë trafikuar apo ndihmuar në shfrytëzimin e të miturës.
Vajza e braktisur nga familja në Vlorë do të rehabilitohet në një qendër të posaçme të viktimave të trafikut. Ndërsa policia dhe prokuroria po ndjekin hap pas hapi këtë ngjarje të rëndë në bazën ushtarake të Bisht Pallës nuk është lejuar në mënyrë kategorikë asnjë kamera të xhirojë mjediset e brendshme, ajo ka pezulluar thuajse të gjithë veprimtarinë e saj të paktën deri në sqarimin e ngjarjes së rëndë.
Përtej telave të bazës mund të kuptoje vetëm se heshtjen që ka mbizotëruar këto ditë e ka thyer një stërvitje e orëve të mesditës./tvklan.al