Në 2021 nis ndërtimi i pallateve për familjet e dëmtuara
Ymer Alushi dhe familja e tij në fshatin Prushë të Vaqarrit kanë marrë çelësat e shtëpisë, që është rindërtuar pas tërmetit të 26 Nëntori. Familja u vizitua nga Kryebashkiaku Veliaj dhe Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.
“Siç do të hyjë në histori tërmeti, si një nga fatkeqësitë më të mëdha që i ka ndodhur Shqipërisë, me pandeminë që preku gjithë botën pastaj, kështu do të hyjë edhe ringritja. Ka kaluar vetëm një vit dhe fakti që çdo ditë po japim çelësa dhe po futen në shtëpi të reja, është një lajm i jashtëzakonshëm”.
150 familje të tjera do të kenë në dorë çelësat e shtëpive të reja, ndërsa viti i ardhshëm, sipas Veliajt, do të shërbejë për ndërtimin e pallateve.
“Ne do ta mbyllim deri në ditën e Vitit të Ri edhe me 150 shtëpi të reja, në total. Pastaj vitin tjetër do të jetë viti i pallateve. Shtëpitë janë pak më të kollajta. Vërtet zgjidh një hall të madh për një familje, por për pallatet që janë një kompleks familjesh garancia që kaluam edhe dje në Këshill Bashkiak ishte që qeveria na ka dhënë financat për të paguar bonusin e qirasë deri ditën që secili do marrë çelësin e vet dhe letrat e hipotekës në dorë, ku pastaj do futen në shtëpinë e re dhe do ndërpritet qiraja”.
Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj deklaroi se paralelisht me lagjen e re në zonën e 5 Majit, vitin që vjen nis edhe lagjja e re në Kombinat.
Tv Klan