Kryebashkiaku Veliaj ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Berishës që ai është arratisur jashtë vendit. Ndërsa sqaron se po udhëton drejt SHBA për arsye pune lëshon një lumë sharjesh dhe akuzash ndaj kryedemokratit.

“O Sali, o kërmë, që paske dhënë lajmin se jam arratisur nga Shqipëria, meqë ndonjë nga çimkat e tua më paska parë në avion. Po shkoj në Amerikë, për takime që i kam lënë prej kohësh, se jam kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe nuk jam Non Grata, o fundërrinë e historisë, që u bërë stërgjysh dhe sa më shumë zhubravitesh në atë surratin e lig, aq më shumë qelb Tiranën me gojën tënde. Nuk iki unë nga Shqipëria, o kërmë, se kam ardhur nga Amerika kur isha 20 vjet më i ri, që të jepja një dorë për ta nxjerrë vendin tim nga llumi ku e zhyte ti me shokë”, tha Veliaj.

Veliaj flet dhe për hetimin që po kryhet ndaj tij dhe familjarëve të tij që është iniciuar nga një person me emrin Nesti Angoni.

“Nuk më përkulin mua as letrat anonime, si në kohën e partisë, që të bëri ty persekutorin që je sot e gjithë ditën, as kushdo tjetër që shuan epshet e veta nëpër ekranet dhe rrugët e Tiranës, duke u marrë me familjen time, as fantazitë e sëmura të veshura me kostumet e karnavaleve të kësaj historisë sime në gjykatën e ekraneve dhe rrjeteve sociale. Do të kthehem për dy ditë, dhe me durimin e paepur në pritje që të më vijë radha mua, se unë nuk jam burrë legen si ti, që kur SPAK-u merret me ty e me hajdutët e farës tënde është SKAPi i partisë, kurse kur merret me mua e me familjen time është SPAK-u i drejtësisë”, tha Veliaj.

Një reagim indirekt e ka dhe për prokurorin e çështjes ndërsa i kujton Berishës se standardin e dyfishtë që ka në raport me drejtësinë e re, kur ajo godet socialistët dhe kur hyn në oborrin e partisë së tij.

“Unë e di radhën e punëve dhe tani e ka radhën prokurori special të bëjë çfarë të dojë, pastaj vjen radha ime për të thënë çfarë duhet. Ashtu siç e di që unë nuk jam mbështetës i drejtësisë së re që nuk bëj komente rrugëve kur ajo merret me të tjerët dhe pastaj rrugaç si puna jote, që të marr rrugët me akuza e sharje kur merret me mua. Aty rri se edhe ti s’ke nga lëviz, se je pa pashaportë dhe nuk del dot nga Shqipëria, se do të të dal si lugat në shtëpi natën e Vitit të Ri, kur edhe Syri i djalit tënd do jetë te Sheshi Skënderbej, duke transmetuar fishekzjarret e 2025-ës, kur do hash shqelmin më të fortë nga shqiptarët, sa të vijë maji! Pis burrë”, tha Veliaj.

Një ditë më parë avokatët mbrojtës të kryebashkiakut Veliaj reaguan ndaj një deklarate të SPAK në lidhje me hetimin për 4 vepra penale, duke e cilësuar hetimin si keqdashës dhe duke paraqitur 8 pika që sipas tyre përbëjnë shkelje të ligjit nga Prokuroria e Posaçme.

Tv Klan