Kryeministri Edi Rama nuk është aspak i habitur nga përpjekjet që Prokuroria e Posaçme po bën për të goditur korrupsionin edhe kur hetimet përfshijnë bashkëpunëtorë të tij. Gjatë një interviste për VOA ai tha se edhe pse në aspektin personal do t’i vinte keq për emrat e hetuar, për shkak të pozicionit që ka si kryeministër ai është i vendosur që kjo betejë kundër pandëshkueshmërisë të vazhdojë.

“Natyrisht që mua nuk më vjen mirë në aspektin njerëzor dhe personal për njerëz të cilët i njoh, me të cilët kam punuar, me të cilët kam bashkëpunuar nga më larg ose nga më afër, por kur bëhet fjalë për detyrën që kam, kur bëhet fjalë për misionin që udhëheq, unë personalisht ndjehem absolutisht i qetë, i qartë dhe i vendosur, akoma më i vendosur, që kjo betejë të vazhdojë dhe të mos ketë asnjë kompromis.”

Pyetjes së drejtpërdrejtë për hetimet që SPAK po kryen për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, Rama iu përgjigj se jo çdo i hetuar është i fajshëm.

“Unë nuk komentoj raste individuale, nuk e kam bërë asnjëherë, përveçse kur ka pasur një vendim përfundimtar gjykate, siç ka qenë rasti i një shpifësi recitivist. Por mund të them vetëm që, fakti se cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm, dhe nga ana tjetër, gjyqet nuk bëhen në media, por gjyqet bëhen në proceset ligjore dhe kushtetuese.”


Megjithatë ai theksoi se përpara ligjit të gjithë janë të barabartë, ndaj drejtësia duhet të bëjë punën e vet.

“Përballë drejtësisë dhe përballë ligjit dhe përballë të drejtës së institucioneve të drejtësisë për të bërë punën e tyre, nuk janë emrat që caktojnë se për kë e bëjnë apo për kë s’e bëjnë punën, por janë faktet dhe janë liritë dhe të drejtat e të gjithëve, që duhen ushtruar dhe duhen vënë në zbatim, duke filluar nga liria dhe e drejta e drejtësisë, që të bëjë detyrën e vet.”

Për herë të parë foli edhe për çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, për të cilën tha se Venecia i dha të drejtë shumicës parlamentare.

“Vendimi i Komisionit është më shqip nuk mund të ketë. Vendimi i Komisionit të Venecias është i qartë: nuk do të duhej fare të lindte nevoja, sepse nuk ekziston, është jashtë logjikës më elementare të funksionimit të një shteti demokratik, ku të treja pushtetet janë të pavarura nga njëra-tjetra, legjislativi, gjyqësori dhe ekzekutivi, që një gjykatë, qoftë edhe ajo Kushtetuese, t’u imponojë deputetëve se si duhet të ngrenë dorën. Kjo nuk ndodh.”

Jo vetëm për mundësin që i ka dhënë drejtësisë të bëjë detyrën e vet, por edhe për shkak të punës që sipas tij qeveria ka bërë, Rama thotë se socialistët do të arrijnë në zgjedhjet e Majit fitoren më të thellë të të gjitha garave zgjedhore.

Tv Klan