“Partitë e lodhura nuk dhanë asnjë ndihmë”
Pas dëmtimin nga tërmeti i 26 Nëntorit, banesa e familjes Kasa në Bërzhitë është rindërtuar nga e para. Kryebashkiaku Veliaj i dorëzoi kryefamiljarit dokumentet e shtëpisë së re. Teksa siguroi se te gjitha familjet e prekura do të bëhen me banesa të reja, ai kërkoi që çështja e rindërtimit të mos politizohet.
“Do të bëjmë edhe shtëpitë e tjera, do të sigurohemi që të dalim faqebardhë nga kjo histori..Shumë vetë mundohen ta politizojnë dhe ta bëjnë me sherr këtë punë. Kjo kohë është një betejë që do na bëjë të gjithëve bashkë. Shumë njerëz ndoshta, nuk e kuptojnë se nuk është vetëm punë llaç e tulla. Në disa raste ka dokumente pronësie, ka mbivendosje, shpronësime. Ndaj, shumë nga ata që i shkaktuan këto dëme me pronën duhet të heshtin sot”.
Kryebashkiaku u shpreh se opozita përpiqet të pengojë procesin, ndërsa vetë nuk dha asnjë ndihmë.
“Ne jemi në luftë me pasojat e tërmetit, jo me njëri-tjetrin. Po të kuptojmë këtë, jemi realisht shqiptarë dhe patriotë, dhe patriotizmi më i madh sot është të ofrosh ndihmë dhe jo t’i nxjerrësh sytë njëri-tjetrit. Këtë duhet ta kuptojë edhe ajo minorancë e vogël, që vazhdon akoma me parti të lodhura, që as nuk dhanë një shtëpi, as nuk dhanë një pako ndihmash, por përkundrazi shtuan vilat dhe pasurinë në vitin e fatkeqësisë. S’kemi kohë për ta, s’kemi kohë për të humbur, duhet të ecim përpara”.
Krahas Bërzhitës, puna për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti po vijon edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Tv Klan