Lajme Arkiva 2004
Vendet e Korridorit 8 janë mbledhur në Tiranë për të diskutuar mbi prespektivën e financimit të projektit. Bullgaria, Maqedonia, Italia dhe Greqia nënshkruan një deklaratë të përbashkët në të cilën i kërkojnë parlamentit dhe Komisionit Evropian përfshirjen e financimit të projektit të Korridorit të 8 në prioritetet më të mëdha të Bashkimit Evropian.
Kjo pikë e deklaratës është nënshkruar nga ambasadori i Greqisë në Shqipëri Pantelis Karkavafis, sipas të cilit ky projekt nuk është më i madhi për financim.
Pala greke ka shprehur rezerva dhe për një pikë tjetër të deklaratës që parashikon një takim tjetër të ardhshëm të kryeministrave të vendeve të Korridorit të 8 në Sofje.
Në lidhje me reagimin e palës greke ministri shqiptar i Transporteve deklaroi:
Spartak Poçi: Ambasadori grek e firmosi deklaratën, por kishte disa vërejtje që sipas mendimit tim nuk e ndihmonin Korridorin 8. Vërejta e parë kishte të bënte me faktin që ai ishte kundër përcaktimit të Korridorit të 8 si më prioritari dhe mendonte se duhet të thonim ndër prioritarët me të cilin nuk ra dakord asnjëri nga pjesëmarrësit dhe vërejtja tjetër, që edhe kjo nuk ishte ndonjë gjë esenciale kishte të bënte me faktin që para se të mblidhet samiti apo para se të takohen kryeministrat në takimin që është menduar të mbahet në Bullgari, në Sofje, të angazhohen ekipe teknikësh për të përgatitur këtë veprim.
Presidenti Alfred Moisiu gjatë fjalës përshëndetëse deklaroi se projekti i Korridorit 8 afron vendet nga kalon me Bashkimin Evropian.
Alfred Moisiu: Detyra dhe përgjegjësia jonë është si ta bëjmë më të shkurtër këtë rrugë. Projektet e Korridorit të 8 dhe gazsjellësit Burgas- Vlorë të rrjetit energjetik rajonal etj, janë hapa në drejtimin e duhur.
Ministri italian i Transporteve Lunardi shprehu përkrahjen e tij për projektin e Korridorit të 8.
Pietro Lunardi: Italia e konsideron si shumë të rëndësishëm projektin e Korridorit të 8. Jo vetëm në aspektin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore por edhe më gjerë. Korridori i 8 shpresojmë të hyjë në 30 projektet prioritare për ti financuar nga Bashkimi Evropian, si dhe të deklarohet pjesë e infrastrukturës strategjike.
Korridori 8 pritet të financohet brenda vitit 2020 nga Bashkimi Evropian./tvklan.al