Në samitin e jashtëzakonshëm në Bruksel në lidhje me konfliktin në Kaukaz liderët e bllokut 27 anëtarësh vendosën të paralajmërojnë Rusinë se lidhjet e ardhshme me BE-në do të varen nga tërheqja e plotë e trupave ruse nga Gjeorgjia.
Përfundimet paraprake prej pesë faqesh të këtij samiti dënojnë njohjen që Rusia i bëri pavarësisë së dy rajoneve gjeorgjiane, u bëhet thirrje dhe vendeve të tjera të mos ndjekin rrugën e Moskës dhe paralajmërohet Kremlini se duhet të ketë marrëdhënie konstruktive bashkëpunimi, besimi e dialogu me Brukselin.
Udhëheqësit e BE-së kanë shprehur përkrahje për Gjeorgjinë duke dhënë aprovim për dislokim të vëzhguesve të BE-së atje.
Ashtu siç priten në këtë samit doli në pah pafuqia e Brukselit në vendosjen e sanksioneve apo një qëndrimi më të ashpër ndaj Moskës, nga e cila Evropa merr 1/3-tën e naftës dhe gazit.
Më e ashpër ishte Britania e Madhe që ka bërë thirrje për pezullimin e një marrëveshje partneriteti me Moskën dhe i ka kërkuar BE-së që të rishikojë në mënyrë thelbësore marrëdhëniet me Rusinë, por diplomacia franceze që propozoi sanksionet e para tha se Evropa nuk donte të krijonte një luftë të ftohtë dhe se bisedimet ishin rruga e duhur dhe jo sanksionet.
Edhe sytë e Moskës ishin të fokusuar në Bruksel. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi Perëndimin për imoralitet përsa i përket situatës në Osetinë e Jugut.
Lavrov paralajmëroi Brukselin se gjatë këtij samiti duhet të ketë parasysh interesat e vet jetësore energjetike.
Në vend të sanksioneve Lavrov propozoi embargo armësh ndaj regjimit të Mikheil Saakashvilit në pritje të një autoriteti që sipas tij do të kthejë Gjeorgjinë në një shtet normal, por ndërkaq në Tbilisi më shumë se 1 milion persona dolën në protestë duke u lidhur në krahët e njëri-tjetrit në simbolin e një zinxhiri njerëzor duke kërkuar kështu fundin e sulmeve ushtarake ruse./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle