Një punonjëse supermarketi ka mbetur e plagosur rëndë mbrëmjen e sotme në Kamëz, në një tentativë grabitjeje.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00, kur një person i armatosur me kallshnikov u fut në një supermarket, në Bulevardin Blu dhe nën kërcënimin e armës kërkoi të merrte paratë nga kasa.
Në këtë moment, punonjësja I.Dushku, 19– vjeç, e cila nuk ka kuptuar rrethanën është afruar pranë kasës. Kjo ka qenë fatale për të renë, pasi grabitësi ka nisur të qëllojë dhe plumbat kanë plagosur në këmbë 19 – vjeçaren.
Në tentativë për t’u larguar nga marketi, agresori ka qëlluar sërish mbi punonjësen.
Ajo është dërguar menjëherë drejt spitalit dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Aktualisht në vendin e ngjarjes ndodhen forca të shumta policore, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato RENEA, të cilët kanë rrethuar të gjithë perimetrin e zonës dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Kontrolle po bëhen kryesisht nga pjesa e pasme e pallatit ku ndodhet marketi, nga ku dyshohet se është larguar autori./tvklan.al
10:38 Njoftimi paraprak i policisë:
Më datë 16.06.2016, rreth orës 21:55, në qëndër Kamëz tek Big Market ka patur të shtëna me armë zjarri. Dyshohet se shtetasja I.D, 19 – vjeçe të jetë plagosur në këmbë jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariartit të Policisë Nr.5 dhe shërbimet “Shqiponja” dhe po ndjekin veprimet.