Kina dhe Hungaria do ta rrisin bashkëpunimin në disa fusha, përfshirë në industrinë e energjisë bërthamore, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban, pas bisedimeve me presidentin kinez, Xi Jinping, gjatë vizitës së këtij të fundit në Budapest më 9 maj.

“Kina është njëra prej shtyllave të rendit të ri botëror”, tha Orban në një konferencë për media në kryeqytetin hungarez.

Xi mbërriti në Budapest mbrëmjen e 8 majit, pasi ishte takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Beograd.

Turneu i tij evropian nisi më 5 maj në Francë, ku presidenti Emmanuel Macron dhe liderët e BE-së i kërkuan atij t’i lehtësojë kufizimet tregtare të Kinës dhe ta përdorë ndikimin e tij për t’i bërë trysni presidentit rus, Vladimir Putin, ta ndalë pushtimin e Ukrainës.

Orbani tha se tregtia e dyanshme është katërfishuar në 20 vjetët e fundit, duke i shndërruar marrëdhëniet mes Pekinit dhe Hungarisë në “një partneritet strategjik”.

Ai shtoi se investimet kineze ishin aq të vogla në Hungari para 20 vjetëve, saqë nevojitej një “xham zmadhues” për t’i vërejtur ato.

Vitin e kaluar, megjithatë, tre të katërtat e të gjitha investimeve të huaja në Hungari ishin kineze, nënvizoi Orban, duke shtuar se ato mundësuan vende të reja pune për dhjetëra mijëra hungarezë.

Duke folur përkrah Orbanit në Budapest, Xi tha se Kina do ta thellojë bashkëpunimin ekonomik, tregtar, financiar dhe në investime me Hungarinë.

Ai u zotua se do t’i çojë përpara projektet kyçe të ndërtimit, përfshirë një hekurudhë të shpejtë mes Budapestit dhe Beogradit.

Xi e quajti Hungarinë “synim kryesor të investimeve kineze në Evropën Qendrore dhe Lindore”, në një shkrim të publikuar për të përditshmen proqeveritare, Magyar Nemzet.

Vizita e parë e Xisë në Evropë pas pesë vjetëve është cilësuar si pjesë e përpjekjeve të tij për ta rritur ndikimin e Pekinit në çështjet politike dhe ekonomike të këtij kontinenti.

Orbani ka krijuar marrëdhënie të ngushta me Kinën dhe Rusinë, në të njëjtën kohë duke e zemëruar Brukselin duke mos iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Moskës, apo duke mos lejuar furnizimin e Ukrainës me armë.

Në Beograd, këto dy vende thanë se një marrëveshje, e cila u nënshkrua nga Xi dhe Vuçiç, e rrit shkallën e bashkëpunimin mes tyre nga partneriteti strategjik në “ndërtimin e një komuniteti të Serbisë dhe të Kinës me një të ardhme të përbashkët në epokën e re”.

Sikurse Moska, edhe Pekini e mbështet Beogradin në diplomaci, duke mos pranuar ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërkohë, Beogradi i mbështet pretendimet e Kinës për Tajvanin.

“Tajvani është Kinë”, tha Vuçiç më 8 maj, duke e cituar kartën e OKB-së.

Kina i ka investuar më shumë se 6 miliardë dollarë në Serbi në dekadën e fundit, duke i derdhur paratë në miniera të bakrit dhe në fabrika të çelikut, si dhe në projekte të infrastrukturës dhe autostradave.

Marrëveshjet për këto projekte mes dy qeverive janë kritikuar nga disa si tepër të rrezikshme, si dhe për mungesë të transparencës. /REL