Guzel dhe Aleks janë dy miq me origjinë nga Rusia, por prej disa vitesh jetojnë në Vlorë.

“Emri im është Guzel, unë jam nga Rusia”.

Të dy të apasionuar pas sportit thonë se kanë zgjedhur qytetin bregdetar për qetësinë dhe natyrën e bukur.

“Kam blerë një apartament këtu dhe më pëlqen shumë stili i jetesës. Ne kemi luajtur tenis dhe në Rusi, por atje është pak shtrenjtë kurse këtu është falas.”

“Vlora është një qytet shumë i veçantë, ka shumë hapësira për aktivitete sportive, kjo është diçka shumë e mirë. Kam blerë një apartament dy vite më parë, jetoj me familjen time këtu.”

Një arsye tjetër se përse kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri janë padyshim edhe njerëzit.

“Sinqerisht kur unë zgjedh një vend zgjedh në fillim njerëzit sepse komuniteti është shumë i rëndësishëm dhe më pëlqen që ju shqiptarët jeni kaq të mirë dhe kaq të sjellshëm”.

Vlora tashmë po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për të huajt që vendosin të bëhen rezidentë në Shqipëri e nuk kanë sesi të mungojnë as italianët.

“Ka disa javë që kam ardhur për të jetuar në Shqipëri. kam qenë në Prill për të parë vendin dhe vendosa të  stabilizohesha këtu. Vendosa të jetoj në Vlorë sepse është një qytet shumë i bukur, njerëzit shumë të sjellshëm, paguaj qiranë 300 Euro në muaj, dhe e kam shtëpinë me pamje nga deti.”

Klima e ngrohtë është po ashtu një tjetër arsye se përse shumë të huaj zgjedhin qytetin bregdetar të jugut për të jetuar.

Tv Klan