Pas zgjedhjes së presidentes së parë grua në Meksikë, vrasjet ndaj politikanëve vijojnë në vend.
Një tjetër kryebashkiake në qytetin Cotija në shtetin perëndimor meksikan të Michoacan, Yolanda Sánchez Figueroa, u qëllua për vdekje me armë zjarri nga disa persona të panjohur.
Sipas mediave lokale, agresorët i zunë pritë Figueroas teksa ajo hynte në një palestër me truprojën e saj. Për shkak të plagëve të marra ajo humbi jetën në spital. Yolanda Sanchez Figueroa u rrëmbye në shtator të vitit 2023 ndërsa po dilte nga një qendër tregtare në qytetin e Guadalajara në shtetin e Jalisco dhe u gjet e gjallë nga autoritetet tre ditë pas rrëmbimit.
Qyteti Cotija dënoi vrasjen e kryebashkiakes, Yolanda Sanchez Figueroa në një postim në platformën e mediave sociale “X”. Vrasja e kryetares së bashkisë vjen pasi fitorja dërrmuese e Sheinbaum solli shpresë për ndryshim në një vend të përçarë nga dhuna e shfrenuar me bazë gjinore. Sanchez u zgjodh kryetare bashkie në zgjedhjet e vitit 2021. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje për vrasjen, por thanë se një operacion sigurie ishte nisur për arrestimin e vrasësve.
Ndërkaq edhe në fundjavën e kaluar një kandidat lokal u qëllua për vdekje në Meksikën perëndimore disa orë para fillimit të zgjedhjeve të përgjithshme të vendit. Israel Delgado Vega, 35 vjeç, një kandidat nga qyteti Cuitzeo, në Michoacan ishte jashtë shtëpisë së tij kur dy persona me motoçikletë e qëlluan atë. Zgjedhjet e Meksikës janë tani më të përgjakshmet në historinë e saj moderne, me 38 kandidatë të vrarë.
Klan News