Me rishikim kufijsh, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk nënkupton shkëmbim territoresh. Siç sqaroi ai vetë në një intervistë për televizionin shtetëror serb, propozimi i tij ka të bëjë mbi të gjitha me njohjen zyrtarisht të një realiteti të ri, atë të një territori që nuk administrohet nga Serbia.

“Ne kemi një territor të përcaktuar nga Fuqitë Perëndimore, që në terren është kundër nesh. Kufijtë në Jarinjë e Bërnjak u vendosën në vitin 2011. Sot, ato quhen kalime administrative pasi ne nuk i njohim si kufij. Por në të vërtetë nuk mund të hyjmë në territorin e Kosovës pa kaluar këtë kufi, përveç shtigjeve të fshehta. Në Kosovë ne nuk kemi pushtet dhe kemi kufij të vendosur pa vullnetin tonë”.

Presidenti serb thotë se kufijtë aktualë janë të pakthyeshëm dhe i kanë përcaktuar Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Fuqitë e Mëdha Perëndimore. Duke e kuptuar qartë këtë realitet, Vuçiç kërkon të marrë sa më shumë të drejta dhe garanci për mirëqenien e popullit serb në Kosovë.

Një prej qëllimeve kryesore është krijimi në veri të Kosovës i një klime paqeje dhe stabiliteti për të thithur sa më shumë investime të huaja për rajonet e serbëve të Kosovës me qëllim përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike.

Kreu i shtetit serb tha se aktualisht po punohet për hartimin e planit të dialogut me Prishtinën dhe se do t’ua paraqesë atë serbëve të veriut në vizitën që parashikon në veri të Kosovës më  9 Shtator.

Tv Klan