Shefi i misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon, dhe zv/kryeministri, Hajredin Kuqi, rikonfirmuan sot gatishmërinë e dy institucioneve për të vendosur në binar sundimin e ligjit edhe në pjesën veriore të vendit që kontrollohet nga strukturat paralele serbe.

Kermabon dhe Kuqi i bënë këto komente pas takimit të rregull të bordit koordinues për sundimin e ligjit në Kosovë.

Hajredin Kuqi: “Unë mendoj që vendosja e EULEX-it në tërë territorin e republikës të Kosovës, në veçanti në pjesën veriore ku për nëntë vite nuk ka sunduar ende dhe ligji, ku për nëntë vite nuk ka pasur perceptim të mirë për rendin dhe ligjin në atë pjesë. Tani është një perceptim i mirë, është një simbolikë e mirë dhe një lajm i mirë për Kosovën dhe gjithë qytetarët dhe është një mundësi për vendosjen e rendit dhe ligjit”.

Yves de Kermabon: “Kemi filluar punën tonë vetëm një javë më parë dhe kjo është kohë e shkurtër. Ne duhet së pari të konsolidojmë misionin, por besoj se me një koordinim të ngushtë me qeverinë e Kosovës rezultatet do të jenë të dukshme”.

Në këtë takim po ashtu është vlerësuar me nota pozitive administrimi 9-vjeçar i Kosovës nga Kombet e Bashkuara derisa Kermabon tha se pa administratën e UNMIK-ut nuk do të kishte mision të EULEX-it.

Kuqi tha se ka qenë administrata e OKB-së ajo që ka përgatitur vendin për shtet të pavarur./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki