Shtatë persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marrë peng një 35-vjeçar, duke e dhunuar dhe kanosur për dhënie pasurie. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur rreth 3 muaj më parë, që është zbardhur sëfundmi nga policia e Tiranës.
Ishte sektori për hetimin e krimeve të rënda që bëri të mundur identifikimin e autorëve. 7 persona morën me dhunë 35-vjeçarin dhe e mbajtën për 1 orë ku i kërkuan shumën prej 70 mijë Eurosh. Pasi u la i lirë, i riu shkoi menjëherë në policinë e Tiranës, ku bëri denoncimin.
Për këtë ngjarje u lëshuan disa urdhër arreste, një pjesë e tyre tashmë janë ekzekutuar. Gjykata vendosi arrest në burg për Aleksandër Osmanin, Artan Pirracin si dhe “arrest në shtëpi” për Naim Qarri, Sajmir Kolaveri dhe Adem Metkola.
Për këtë ngjarje në kërkim janë shpallur Fredi Keta dhe Tori Xheçuka, ky i fundit njihet dhe me emrin Hektor. Ai është i njohur për autoritetet e drejtësisë. Ai është në kërkim dhe në kuadër të operacionit Revanshi. Ndaj tij, SPAK ka ngritur akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit me 4 nëntor të vitit 2020, si dhe tentativa e vrasjes ndaj Hamza Tërziut.
Disa ngjarje të tjera të mëparshme për të cilat është akuzuar, Xheçuka dyshohet se i ka kryer kundrejt pagesës. Edhe pengmarrja e 35-vjeçarit dyshohet të jetë kryer për llogari të të tjerëve, me të cilët 35-vjeçari u kishte borxh.
Klan News