Kryeministri i vendit Edi Rama dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kanë biseduar me njëri-tjetrin këtë të Shtunë. Këtë gjë e konfirmon Zelenskyy në postimin e tij në “X”, ku falenderon qeverinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen e palëkundur ndaj Ukrainës.

“Ne diskutuam shumë tema me rëndësi dhe projekte të përbashkëta. Folëm edhe për iniciativat diplomatike në Europë. Është thelbësore që Evropa të jetë në tryezën e bisedimeve, gjithçka lidhur me të duhet të jetë me pjesëmarrjen e saj dhe gjithçka që ka të bëjë me Ukrainën duhet me pjesëmarrjen e Ukrainës. Një vizion i përbashkët dhe hapa të koordinuar janë thelbësore për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ne po punojmë së bashku për të forcuar sigurinë në të gjithë Evropën. Faleminderit për mbështetjen tuaj”, shkruan Presidenti i Ukrainës.


Zelenskyy dhe Rama kanë pasur komunikim të vazhdueshëm, që pas agresionit rus në Ukrainë në 2022-in. Telefonata mes tyre pati në Janar dhe Maj të vitit të shkuar, sa i takon situatës së luftës atje.

Kujtojmë se kreu i shtetit ukrainas erdhi në kryeqytet më 27 Shkurt të vitit 2024, ku mori pjesë në Samitin e Sigurisë për Ukrainën. Ai mbajti edhe një konferencë të përbashkët me kreun e qeverisë shqiptare ku u nënshkrua “Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit”.

/tvklan.al