Zgjedhja e Donald Trump për Prokuror të Përgjithshëm, pra Matt Gaetz, duket se ka ardhur si “rrufe në qiell të hapur” në Uashington.
Nga të gjitha zgjedhjet e Trump, kjo është padyshim më e debatueshmja dhe dërgon një mesazh të qartë se ai ka për qëllim që ta “tundë” mirë establishmentin kur të kthehet në pushtet.
Trump po e krijon ekipin e tij para se të nisë mandatin më 20 Janar. Një lloj habie kanë krijuar edhe zgjedhjet e tij për Sekretarin e Mbrojtjes, prezantuesin e Fox News, Pete Hegseth dhe shefen e inteligjencës kombëtare, ish-kongresmenen demokrate, Tulsi Gabbard.
Por ai që po i merr titujt kryesorë është politikani nga Florida, Matt Gaetz. Ai është më së shumti i njohur për përpjekjet për të larguar kreun e grupit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, vitin e kaluar.
Qasja e tij ka bërë që të krijojë shumë armiq, duke përfshirë edhe brenda partisë së tij. Prandaj zgjedhja e Trump për këtë post kaq të rëndësishëm është sinjal edhe për këta republikanë gjithashtu, që administrata e tij e dytë do të përbëhet nga njerëz besnikë të cilëve ai u ka besuar realizimin e axhendës së tij.
Mirëpo Gaetz ka edhe disa aleatë në Capitol Hill që kanë të njëjtën besnikëri ndaj Trump. Ligjvënësi nga Florida ka qenë një nga mbrojtësit më agresivë të Trump në seancat dëgjimore në Kongres, deklaratat për shtyp apo paraqitjet televizive.
Të mërkurën kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, një tjetër besnik i Trump, e portretizoi Gaetz si një “prokuror të plotësuar”.
“Është reformator me mendje dhe zemër”, tha ai.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se Gaetz do të ndryshojë radikalisht Departamentin e Drejtësisë, të cilin e ka fajësuar shpesh për problemet e veta ligjore.
“Matt do të çrrënjosë korrupsionin sistematik të departamentit dhe do ta rikthejë departamentin në misionin e vërtetë për të luftuar krimin dhe të respektojë demokracinë e Kushtetutën tonë”, shkroi ai.
Gjatë fushatës, Trump premtoi hakmarrje për hetimet e lëshuara kundër tij. Siç duket Gaetz do të jetë në vijën e parë të frontit në këtë luftë. Ndërkohë Departamenti i Drejtësisë e ka hetuar vetë Gaetz.
Vitin e kaluar, përfaqësuesit e saj nuk pranuan të ngrenë akuza mbi pretendimet se Gaetz kishte shkelur ligjet për trafikim seksual, gjatë një udhëtimi që ai ka bërë në Bahamas me dy eskorta të paguara.
Ai ka qenë edhe subjekt i një hetimi disiplinor në Dhomën e Përfaqësuesve për sjellje të pahijshme seksuale, përdorim të drogave të paligjshme dhe keqpërdorim të fondeve të fushatës.
Të mërkurën në mbrëmje, Johnson tha se Gaetz ishte dorëhequr si ligjvënës. Kjo i dha fund hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve pasi komisioni heton vetëm anëtarët. Vendimi i Gaetz erdhi dy ditë pasi komisioni do të dilte me një raport shumë kritik ndaj tij.
Sipas CBS News, Gaetz i kishte kërkuar Trump një falje për çdo krim të lidhur me të përpara se ai të largohej nga detyra në Janar të vitit 2021. E gjitha kjo e bën atë një zgjedhje jo të zgjuar për një pozicion që zakonisht shkon për politikanë të rangut më të lartë, të njohur mirë edhe në çështjet ligjore.
Sa i përket karrierës, Gaetz, ka diplomë për çështjet ligjore dhe ka punuar për një firmë ligjore në Florida para se të hynte në Kongres. Joe Biden kishte për Prokuror të Përgjithshëm, Merrick Garland, një gjyqtar i lartë në Gjykatën Federale të Apelit. Në mandatin e tij të parë, Trump zgjodhi senatorin Jeff Sessions dhe më pas Bill Barr, i cili ka shërbyer për dekada nën administratat presidenciale republikane.
Tashmë nominimin e Gaetz duhet ta konfirmojë Senati. Atje Republikanët kanë shumicë. Për ta rrëzuar kandidaturën e tij duhen vetëm 4 “jo” nga ana e Republikanëve për t’iu bashkuar Demokratëve. Gaetz vetë tha gjatë këtij viti se do të donte që të ishte Prokuror i Përgjithshëm, por e pranoi se kjo ka shumë pak mundësi të ndodhë./tvklan.al