Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Himarës Vangjel Tavo është i qartë në objektivat për këtë bashki. Teksa tha se për të nuk ishte surprizë zgjedhja e tij si kandidat i socialistëve, Tavo tha në një intervistë për “Klan News”, se një nga çështjet kryesore që do i kushtoi vëmendje janë pronat e qytetarëve të Himarës, problem të cilin e cilësoi një problem të mbartur për më shumë se 30 vite.
Vangjel Tavo: Banorët e Himarës kanë pothuajseë të njëjtat probleme si banorët e bashkive të tjera përveç çështjes së certifikimit të pronave i cili ka qenë një problem i mbartur mbi 30 vite Sot jam në një pozicion që mund të deklaroj që ky problem është vendosur në rrugë të zgjidhjes.
Teksa shprehet i bindur për fitoren e tij në zgjedhjet e 4 Gushtit, Tavo thotë se rivalin e tij do e ftojë për punuar së bashku për problemet e qytetarëve të Himarës.
Vangjel Tavo: Kushdo qoftë kandidati rival pas zgjedhjeve është i ftuar së bashku me forcën politike që përfaqëson të bëhet pjesë e bashkëqeverisjes së kësaj bashkie.
Në një kohë që marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë ftohur për shkak të arrestimit dhe dënimit të Fredi Belerit, Tavo thekson se objektivi i tij është bashkëpunimi me autoritete greke në shërbim të minoritetit që ndodhet në Himarë.
Vangjel Tavo: Unë nuk pres të kontaktohem nga qeveria greke. Nuk shqetësohem aspak as nga ndërhyrjet as nga interesimi. Janë të mirëpritur që të gjithë pa përjashtim. Unë ftoj që të gjithë që të kontribuojmë për qetësimin e situatës dhe zgjidhjen e problematikës që ka krijuar kjo situatë.
Presidenti Bajram Begaj detektoi datën 4 Gusht si ditën në të cilën qytetarët e Himarë do i drejtohen përsëri kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e tyre. Por teksa PS ka caktuar kandidatin dhe ka ndezur motorët e fushatës, opozita ende nuk ka mundur të gjejë një emër që do të garojë për bashkinë e Himarës.
Klan News