Maqedonia ka votuar sot për zgjedhjet presidenciale dhe ato lokale. Qendrat e votimit janë mbyllur në orën 19 dhe deri tani në bazë të votave të numëruara kandidati i partisë në pushtet VMRO-DPMNE George Ivanov është në avantazh.

Kandidati i Unionit Social Demokrat Ljubomir Fërckovski është i dyti. Në bazë të rezultateve, kandidati shqiptar për president Imer Selmani renditet i katërti, Agron Buxhaku i BDI-së i pesti, ndërsa Mirushe Hoxha e PDSH-së e fundit.

Në zgjedhjet e komunave BDI ka  fituar në komunat Bogovinë, Vrapçist, Osliomeje, Zajas dhe Zhelin. Ndërsa PDSH-ja sipas të dhënave ka deklaruar fitoren vetëm në komunën e Tetovës.

Procesi i zgjedhjeve ka kaluar mjaft qetë dhe pa incidente. Vlerësime pozitive për këtë proces dhanë edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara.

Ambasadori i BE-së, Ervan Fuere, i ka vlerësuar këto zgjedhje “ të bardha si bora”. Megjithatë vëzhguesit ndërkombëtarë kanë deklaruar se të hënën do të paraqesin vlerësimet e tyre përfundimtare për këtë proces.  

Sipas drejtorit të OSBE-së në Maqedoni, Janez Lenarcic zgjedhjet paqësore janë të rëndësishme por jo të mjaftueshme. Ndaj ka disa aspekte që do të preken në vlerësimin e së hënës tha ai.

Nëse asnjëri prej kandidatëve për president nuk e merr shumicën e nevojshme, pas 14 ditësh do të organizohet raundi i dytë, në të cilin do të shkojnë dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota.

Pjesëmarrja në votime deri në orën 18, një orë para mbylljes së qendrave të votimit ishte 56 %. Ky proces u ndoq  nga afro 7 mijë vëzhgues vendor dhe të huaj. Rreth 8 mijë e 500 policë u angazhuan për të garantuar ecurinë e qetë të këtij procesi./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle