Bizneset në autostradën Tiranë-Durrës përfshihen sërish nga flakët.

Këtë herë zjarri ra në magazinat e firmës së drurit, Ardeno, që ndodhen në kilometrin e gjashtë të autostradës Tiranë-Vorë.

Rreth orës 3 të mëngjesit një zjarr i madh përfshiu ambientet e kësaj ndërtese, por flakët janë vënë nën kontroll pas disa orësh pas ndërhyrjes së zjarrfikësve të ardhur edhe nga disa qytete të tjera të vendit.

Përhapja e flakëve ka rrezikuar për disa kohë edhe depozitat e gazit, Sofi Gaz, dhe Petrol Gas, që ndodhen pranë vatrës së zjarrit.

Po ashtu në rrezik ishin dhe një numër banesash që gjenden shumë pranë murit rrethues të punishtes së drurit të firmës “Ardeno”.

Dilaver Laçi: “Situata tani është plotësisht nën kontroll. Kemi akoma tre vatra zjarri, njëra prej të cilave vazhdon të ketë probleme akoma. Jemi përfundimisht në shpëtim të dy përqendrime të gazit. Shtëpitë e banimit në, prapa këtyre ndërtesave, janë të shpëtuara. Nuk ka probleme me banorët”.

Si pasojë e zjarrit nuk ka pasur të lënduar, por raportet paraprake flasin për një dëm kolosal material.

Për të shuar flakët zjarrfikëset kanë ngritur depozita me ujë për të mbajtur të ftohta cisternat e gazit.

Nga ana e vet OSSH ka ndërprerë furnizimin me energji të zonës pranë zjarrit si masë sigurie.

Policia nuk ka ende një pistë për shkaqe të rënies së zjarrit që ra fillimisht në një ambient në katin e dytë të ndërtesës aty ku klientët e firmës bënin porositë.

Dilaver Laçi: “Grupi hetimor vazhdon, ekspertët e shërbimit zjarrfikës bashkë me ato të policisë vazhdojnë hetimet për ngjarjen. Janë pista të shumta, ku ato po hetohen. Çdo gjë është e mirë të sigurohet, jo më një pasuri kaq e madhe sa është e këtyre bizneseve. Ajo që duhet menduar është ta mbrojmë nga zjarri atë”.

Vetëm pak ditë më parë një zjarr tjetër jo shumë larg firmës Ardeno përfshiu magazinat e firmës së prodhimeve hidrosanitare, Henri.

As për zjarrin te Ardeno dhe as për atë të Henrit ekspertët nuk kanë një konkluzion të saktë për shkaqet e rënies së tij./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle