Denaj: Fatura e tërmetit më e lartë se 20 miliardë lekë
Fatura e tërmetit të datës 26 Nëntor do të jetë më e lartë se 20 miliardë lekë që është parashikuar në buxhetin e këtij viti, por qeveria është e gatshme që në çdo moment të shtojë vlerën që duhet në mënyrë që të ndërtohen të gjitha banesat e dëmtuara. Në një intervistë për televizionin Klan, Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë thotë se do të pritet deri në konferencën e donatorëve që do të mbahet në shkurt për të patur një bilanc më të saktë të fondeve, por buxheti do të finacojë edhe një shumë tjetër për dëmet e tërmetit edhe në vitin e ardhshëm.
“Nuk mund të them se sa është fatura e plotë e dëmit, por besojmë se është më shumë se shuma që ne kemi alokuar, prandaj mendojmë që ky proces do zgjasë edhe në vitin që vjen. Buxheti do ta ndiejë këtë efekt edhe vitin që vjen”.
Përveç familjeve që mbetën të pastreha nga tërmeti, qeveria do të krijojë një plan të detajuar për stimulimin e biznesit në zonat ku do të rindërtohet, përveç paketës për heqjen e penaliteteve për Nëntorin dhe njohjen e dëmeve si shpenzim në bilancin e fundvitit. Projekti mendohet t’i ngjajë zonave të lira ekonomike, me taksa të ulëta çka pritet të rrisë punësimin.
“Disa zona mund të ridimensionohen, mund të shikohen si një mundësi më e madhe ekonomike për t’u zhvilluar më mirë, zona e Spitallës, apo zona të tjera më afër Tiranës, për të krijuar zona ekonomike që e gjithë vlefta e ndërtimit të banesave rrotull këtyre zonave të krijojë mundësi punësimi gjithashtu”.
Por kreu i Ministrisë së Financave thotë se tërmeti nuk duhet të ndalë punën e administratës fiskale. Ajo pranon se ka një zbehje në këtë drejtim, e se në një mbledhje u ka kërkuar strukturave të tatimeve e doganave angazhim të plotë për të mbledhur taksat dhe zero tolerancë.
“Pas tërmetit ka një zbehje. Po është e vërtetë. Kjo nuk do të thotë që numri i bizneseve të afektuara, i gjithë rajoni i Durrësit, i gjithë rajoni i Tiranës, të mund të adresohej në të njëjtën natyrë. Administrata tatimore duhet të vazhdojë punën e saj”.
Pritshmëritë e financave janë se nisja e zbatimit të platformës së fiskalizimit dhe puna në terren të zbehin ndjeshëm informalitetin në ekonominë tonë, i cili mendohet të arrijë në nivelin 40%. Ndërsa puna do të lehtësohet po ashtu edhe nga reforma e dixhitalizimit të shërbimeve publike.
“Ka një pjesë dokumentacioni, e cila nuk plotësohet vetëm nga një administratë dhe nevoja për ta plotësuar përsëri humbet kohë edhe nëse secila nga këto administrata të jetë e integruar në procese online. Këtë vit po ndodh jo vetëm zgjerimi i bazave në konceptin online, por edhe integrimi i tyre në mënyrë të tillë që ato dokumentacione, të cilat do të duhet të merren nëpërmjet administratës, të merren nga administrata dhe jo nga qytetarët”.
Për Ministren Denaj ky vit ka mjaft sfida, por edhe plane të hartuara më parë që pritet të zbatohen së shpejti. Dy sfidat më të mëdha për të janë që rritja ekonomike të arrijë mbi nivelin 4% dhe shtimi i investimeve të huaja, në një vit ku dy veprat madhore si gazsjellësi TAP dhe hidrocentrali i Devollit janë drejt përfundimit.
Tv Klan