Në kuadër të 105-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, Kuvendi i Shqipërisë organizoi aktivitetin “Parlamentarizmi, Republika, Demokracia”.

Në nisje të aktivitetit Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mbajti një fjalë në të cilën mes të tjerash u shpreh se Parlamentarizmi në Shqipëri ka kaluar përmes fazash të ndryshme të karakterizuara nga një përpjekje për të përfaqësuar qytetarët dhe për të promovuar dialogun politik.

Spiropali u shpreh se Parlamentarizmi shqiptar i ka provuar të gjitha sfidat e mundshme të rrugëtimit të tij.

Elisa Spriopali: Paragjykimin dhe stigmën mbi paaftësinë e shqiptarëve për t’u bashkuar dhe për të marrë vendime kombëtare, për të bërë shtet dhe për të ndërtuar institucione qeverisëse dhe si i tillë nuk e meritonin shtetin e tyre të pavarur, Kongresi i Lushnjes e shkallmoi këtë stigmë. Mirënjohje protagonistëve të këtij Kongresi. Mirënjohje përjetë dhe nderim të gjithë atyre.

Kongresi plotësoi vendimet e Kuvendit Kombëtarë të Vlorës dhe Kuvendit të Durrësit dhe rindërtoi institucionet përfaqësuese të shtetit të ri. Zgjedhja e Këshillit Kombëtar me atributet e Parlamentit ishte ndër vendimet më të rëndësishme të Kongresit të Lushnjes. Vendimi për krijimin e trupës legjislative e para pas shpalljes së Pavarësisë ishte fillesa e parlamentarizmit shqiptarë sot me një histori 105-vjeçare. Nga Lushnja nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur, Parlamentare dhe Republikane. Kongresi i Lushnjes duke themeluar parlamentarizmin përveç kontributeve për Republikën shënoi edhe fillesat e para të demokracisë.

Prandaj mund të themi se krijimi i Parlamentit të parë shqiptarë shënoi një pikë kthese historike në formësimin e Republikës dhe përgjatë historisë së tij të dekadave të fundit edhe në konsolidimin e demokracisë atëherë aq të brishtë.

Ashtu si në shumë vende të tjera Parlamentarizmi në Shqipëri kaloi përmes fazash të ndryshme të karakterizuara nga një përpjekje për të përfaqësuar qytetarët dhe për të promovuar dialogun politik. Parlamentarizmi shqiptar i ka provuar të gjitha sfidat e mundshme të rrugëtimit të tij, ndoshta si asnjë vend tjetër./tvklan.al