Kryedemokrati thotë se ndërmarrja publike është e detyruar që të ulë çmimin e energjisë në proporcion me pakësimin e humbjeve. Në një konferencë për mediat, kreu i PD-së, Berisha ka shpalosur planin e PD-së për çmimin e energjisë. Ky projekt konsiston së pari, çmimin fillimisht 7 Lekë për kilovat/orë për 300 kilovat/orët e para.

Sali Berisha: Ndërmarrja publike është e detyruar ta ulë çmimin e energjisë në proporcion me pakësimin e humbjeve. Është e detyruar se energjia është çmim i rregulluar, nuk është çmim i lirë. Investove, ule humbjet, këto do pasqyrohen në çmim, do ulësh çmimin dhe do e shesësh më lirë. Këtu janë investuar miliarda, kështu që këta pretendojnë se humbjet janë reduktuar në mënyrë të ndjeshme dhe e uli për një vit. Se kjo është një ulje njëvjeçare. Ulje tipike elektorale.Një ulje absolutisht antiligjore, në shkelje të çdo kodi, në përpjekje për të grabitur vota.

Por, siç kisha paralajmëruar në mënyrë të përsëritur, PD ka planin e saj për çmimin e energjisë. Ky projekt konsiston së pari, çmimin fillimisht 7 Lekë për kilovat/orë për 300 kilovat/orët e para. Çmimi i dytë 100 Lekë për 400 kilovat/orët e tjera. Mbi to do ketë një çmim të tretë për konsumatorët familjarë. Për ata që jetojnë në lukse, i kanë të florinjta edhe tualetet, ata do njohin një çmim të tretë të paktën 1 mijë Lekë kilovati. Në këtë mënyrë, biznesi do zbresë aty ku ka qenë, 60 Lekë kilovati.

Shqipëria do qëndrojë me çmimet më të ulëta në Europë për energjinë dhe jo duke marrë ndikimin që pati gazi rus. Ne nuk kemi të bëjmë me gazin fare. Asnjë kilovat/orë nuk prodhohet nga gazi. Strategjia jonë e shndërrimit në superfuqi rajonale të energjisë së rinovueshme është realizuar sot pothuajse plotësisht.

Hidrocentralet prodhojnë tashmë jo siç gënjen dhe mashtron Edi Rama se ne nuk plotësojmë nevojat me energji, por ata prodhojnë disa miliardë më shumë se nevojat e vendit. Me këtë nuk përjashtoj ciklicitetin e motit, por në total prodhimi i energjisë nga hidrocentralet ka qenë 9 miliardë kilovat/orë, në një kohë kur konsumi është vetëm 7 miliardë kilovat/orë.

Por Edi Rama servir vetëm mashtrime. Ajo strategji e bëri Shqipërinë jo vetëm të vetëmjaftueshme, por edhe një eksportues të energjisë së rinovueshme në rajon. Janë ndërtuar mbi 115 hidrocentrale, janë kontrata për ndërtimin e rreth 300 të tjerave.

/tvklan.al