Një 71-vjeçar ka humbur jetën, ditën e djeshme, si pasojë e gripit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ai vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese dhe gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar më shumë nga gripi.
Për këtë rast, ka folur në emisionin “Aldo Morning Show”, në Tv Klan, epidemiologu Ilir Alimehmeti, i cili u shpreh se njerëzit vdesin nga gripi, por duke mos u raportuar askund, të tjerët mund ta neglizhojnë si problematikë.
Aldo: Edhe ai lajmi i djeshëm, ç’ishte ai 71-vjeçar që humbi jetën dje?
Ilir Alimehmeti: Po shiko, se është dhe interesante.
Aldo: Kjo bën dhe panik.
Ilir Alimehmeti: Bën lajm kur e jep media. Pra, bën çudi si vdiq një person nga gripi. Njerëzit vdesin nga gripi, problemi është që ne duke e mbajtur të fshehtë këtë, si shoqëri, sepse nuk raportohet askund, njerëzit pastaj e neglizhojnë problematikën. Thonë: “Hë se grip është”.
Aldo: Në fakt i dashur, ne kështu jemi rritur.
Ilir Alimehmeti: Vjet, në sezonin e vjetshëm të gripit që mbaroi, 2022-2023, në SHBA, humbën jetën 21 mijë veta nga gripi. Tani, ka një popullatë 330 milionë banorë SHBA-ja, po t’i fusësh rregull 3-shi me popullatën tonë, del 170-175 tek ne. Dhe unë besoj që sistemi shëndetësor i Amerikës është paksa më i mirë se sa i joni.
Aldo: Është pak e diskutueshme kjo, por nejse.
Ilir Alimehmeti: Ta quajmë jek e jek, i bie 170-175. Pra, është një problematik që ne e njohim, pastaj tjetër çështje është e raporton, s’e raporton. Mos harroni që po të shikoni INSTAT-in tek arsyet e vdekjes, do shikoni që 20.3% të humbjes së jetës të vitit 2022, se 2023-shit s’ka dalë akoma, thotë për shenja dhe simptoma të papërcaktuara mirë, pra nuk e dimë kush është shkaku i vdekjes. Pra, 1 ndër 5 humbje jete, ne nuk e dimë. Këtu janë dhe këto rastet që nuk raportohen.
Aldo: Pra, le të themi që gripi nuk është se të vdes, por të shoqëruara me siklete të tjera…
Ilir Alimehmeti: Ka problematika, njerëz të vjetër. Atje ku kupa është e mbushur me problematika, me moshë të vjetër, me sëmundje të tjera, ne e dimë fare mirë që pika e fundit mund ta derdh kupën. /tvklan.al