Në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë vijojnë homazhet për kryepeshkopin Anastas Janullatos. Gjatë gjithë natës kisha ka qëndruar hapur, ku qindra besimtarë i kanë dhënë lamtumirën e fundit kryepeshkopit.
Ceremonia mortore do të mbahet nesër në orën 11:00, pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore.
Klerikët do të mbajnë meshë të pa ndërprerë deri nesër, kur trupi i Kryepeshkopit do të vendoset për t’u prehur përjetësisht në ambientet e katedrales.
Në ceremoninë mortore priten në kryeqytetin shqiptar të vijnë figurat më të larta të Kishës Ortodokse. Është konfirmuar pjesëmarrja e Patriarkut të Kostandinopojës, Bartolomeu; Patriarkut të Izraelit Theofili i Jerusalemit; Kryepeshkopit të Greqisë Jeronimi; Patriarku i Qipros, i Aleksandrisë; i Bullgarisë, i Rumanisë etj.
Në këtë ceremoni do të jenë edhe figura të larta të klerit botëror. Nga Vatikani pritet një delegacion i gjerë i drejtuar nga Sekretari i Shtetit, Pietro Parolin.
Gjithashtu do të jenë të pranishëm edhe Kryeministrit grek, Qiriakos Micotaqis me një delegacion të gjerë nga Athina, përfshirë 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar.
Ceremonia do të drejtohet nga Mitropoliti i Korçës, Joan, i cili u vendos nga mbledhja e Sinodit të Shenjtë si kujdestar i fronit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Tv Klan