Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Braktisja dhe keqpërdorimi i digave në të gjithë vendin, mund të rrezikojë deri në katastrofa njerëzore. Alarmin e japin akademikët që konstatojnë, se popullimi i pakontrolluar i zonave përreth digave është i pa tolerueshëm dhe burim rreziku. Ministri i Rregullimit të Territorit Bashkim Fino, deklaron se duhet rritur përgjegjësia ligjore dhe teknike.
Bashkim Fino: “Përveç vlerave të mëdha ekonomike të tyre, digat në kushtet dhe rrethana të caktuar, mund të mbartin rreziqe të mëdha deri në nivele katastrofike. Dëmtimet dhe avaritë në diga dhe objektet që lidhen me to, janë të lidhur me mospërkujdesjen e vazhdueshme gjatë gjithë periudhës së shfrytëzimit dhe të mirëmbajtjes.”
Akademiku Farudin Hoxha konsideron dhe rrezikun terrorist ndaj digave.
Farudin Hoxha: “Pushteti lokal, nëpërmjet strukturave të tij, jo vetëm që duhet të ushtrojë kontrolle periodike, por mbi të gjitha për gjendjen fizike të tyre, sa të sigurta janë, sepse ato mbartin rrezik potencial të përhershëm për katastrofa njerëzore dhe ekonomike. Këto vepra duhet të jenë gjithnjë nën kontroll dhe vëzhgim të përhershëm, aq më shumë tani, që aktet terroriste janë shpeshtuar dhe mbajnë nën kërcënim mjaft vende të botës.”
Në të gjithë vendin janë ndërtuar afro 650 diga me funksione të ndryshme kryesisht në energjetik dhe bujqësi. Sipas ekspertëve, pas viteve 90 këto diga janë braktisur dhe janë lënë për t’u menaxhuar nga jo profesionistë./tvklan.al