Emisioni “Stop” në Tv Klan është ndalur në fshatin Dushaj, Bulqizë për problemin e zotit Vilson Alla, i cili tregon se në 25 dhjetor 2023 teksa po dilte nga puna, është rrëzuar nga 8 metra lartësi dhe ka marrë dëmtime të rënda në këmbën e majtë. Pas më shumë se tre muajsh Vilsoni është në regjim shtrati. Ai rrëfen se mori kontakt me shtetasin Përparim Koçi, i cili kishte një galeri kromi dhe filloi punë në tetor 2023 si minator në kompaninë “Brunes krom shpk”.
Pas aksidentit, Vilsoni nuk ka marrë as pagesën e raportit mjekësor dhe aktualisht jeton me 130 mijë lekë të vjetra që është pensioni i nënës me të cilin mbajnë frymën 8 pjesëtarë të familjes. Teksa ishte ende në Spitalin e Traumës, Prokuroria e Dibrës ka kërkuar mosfillim procedimi penal, duke mos e klasifikuar aksident në punë. Vëllai i Vilsonit, Iliri, tregon terrenin e vështirë ku u aksidentua Vilsoni. Por roja thotë se është shkelur perimetri i firmës.
Roja i firmës: O Ilir, o vëllai im, deri aty nuk lejohet. Deri te “pisha”, nuk lejohet me ardh nalt.
Në një komunikim me administratorin e “Brunes Krom shpk”, Përparim Koçi, ky i fundit pranon se aksidenti ka ndodhur në orar të punës por jashtë subjektit. Ai thotë se për dy muaj punë për Vilson Allën janë derdhur sigurimet.
Gazetarja: Zoti Alla, ka qenë brenda orarit të punës?
Përparim Koçi, Brunes Krom: Po brenda orarit të punës ka qenë.
Gazetarja: Zoti Alla ka qenë i siguruar në momentin që ka bërë aksidentin?
Përparim Koçi, Brunes Krom: Po!
Gazetarja: Po pse sigurimet e tij të paktën deri në shkurt 2024 nuk janë të paguara?
Përparim Koçi, Brunes Krom: Atë ditë, që ka ndodh aksidenti është aksidentu jashtë subjektit, sipas ekspertizës, që kanë bo ato të Rishmit (AKSEM). Për dy muaj, që ka punuar tek ne, i kemi derdh sigurimet, i kemi çuar me postë.
Gazetarja: Pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, kur janë bërë?
Përparim Koçi, Brunes Krom: Pagesa?
Gazetarja: Po.
Përparim Koçi, Brunes Krom: Nuk e mbaj mend datën, më duket në shkurt.
Nga ana tjetër, përgjegjësi i Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore në Bulqizë, Klevis Alla, thotë se raportet kanë shkuar në mars e po punohet që brenda javës t’i bëhen pagesat e raporteve./tvklan.al