Vilson Alla, një qytetar nga Bulqiza ka denoncuar në emisionin “Stop” në Tv Klan rastin e tij. Më 25 dhjetor 2023, ai është aksidentuar në vendin e punës në galerinë e kromit të “Brunes krom shpk” dhe ra nga 8 metra lartësi. Nga ky aksident, ai është lënduar rëndë në këmbën e majtë dhe nuk mund të lëvizë nga shtrati.
Familja e tij prej 8 personash jeton me një ndihmë ekonomike prej 130 mijë lekësh të vjetra. “Stop” shkoi deri në vendngjarje dhe mësoi se galeria ndodhet në shpatin e pjerrët të malit.
Veç kushteve të vështira të punës, administratori i firmës, Përparim Koçi thotë se sigurimet shoqërore të punonjësit të tij janë derdhur për dy muaj, por Vilsoni s’ka marrë asnjë qindarkë.
Pagesa e raportit mjekësor në qytetin e Bulqizës është problemi më i vogël për Vilson Allën. Problemi më madhor në këtë histori, është mospagesa e siguracionit të jetës që është i detyrueshëm për firmën ndaj minatorit që punëson.
“Meqë ishte fundi i vitit, menduam të bëjmë sigurimet e reja për vitin 2024 për aq punëtorë sa kishim. Sinqerisht jam në një vështirësi ekonomike. Kam gati 3 vjet që po investoj dhe s’kam nxjerrë asgjë dhe po investoj me shumë vështirësi”, thuhet në mesazhin e administratorit Përparim Koçi.
Zëvendësdrejtoresha e Inspektoriatit të Punës, Irida Qosja, tha se në përfundim të hetimit, rasti është klasifikuar aksident në punë pasi janë gjetur shkelje me pagesat e sigurimeve dhe terrenin e vështirë pa sinjalistikë për punë që është bërë shkak i aksidentit./tvklan.al