“Kompania s’ka asnjë problem me sindikatat”
Kompania AlbChrome që administron një pjesë të minierës së Bulqizës ka sqaruar arsyet e shkarkimit të 4 minatorëve të saj.
Kompania thotë se largimi i tyre ka ardhur si pasojë e shkeljeve të vazhdueshme të kontratës dhe mungesave të pajustifikuara në vendin e punës dhe jo si pasojë e pjesëmarrjes së tyre në Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.
AlbChrome thotë se 21 nga 652 minatorët e saj janë pjesë e kësaj sindikate dhe nëse ajo nuk do ta respektonte të drejtën e tyre për të qenë pjesë e sindikatës, vendimi do t’i kishte prekur të 21 minatorët dhe jo vetëm 4.
Kompania sqaron se në vend të 4 të larguarve janë punësuar 4 minatorë të tjerë dhe se nëse do të kishte patur ndonjë tendencë ndaj minatorëve apo sindikatave, ajo nuk do të kishte punësuar 100 punonjës të ri vetëm gjatë vitit të fundit.
AlbChrome thotë se vëren me keqardhje që pas 4 minatorëve të larguar qëndron një lëvizje politike, e cila një ngjarje të zakonshme brenda kompanisë e ka amplifikuar si një çështje të rëndë dhe me pasoja për minatorët e tjerë.
Tv Klan